Çengdu është bërë qyteti i fundit kinez që ka hyrë në izolim, pasi Pekini vazhdon të zbatojë politikën kontroverse të “zero rasteve” me koronavirus.
Rreth 21 milionë njerëz janë detyruar të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre.
Vetëm një person brenda familjes mund të kryejë blerjet e domosdoshme.
Ky qytet ka regjistruar të enjten 157 raste të reja të infektimit me koronavirus, përfshirë 51 raste pa simptoma.
Banorëve u është ndaluar largimi nga qyteti.
Mediat shtetërore kanë raportuar se shkollat nuk janë hapur dhe fluturimet në këtë qytet janë anuluar.
SHIKONI EDHE: Studimet e reja: Tregu i kafshëve ishte origjinë e COVID-19Autoritetet shëndetësore kanë thënë se situata është “jashtëzakonisht komplekse”.
Sipas tyre shpërthimi i ri i virusit mund të ketë ndodhur si pasojë e organizimeve të mëdha gjatë motit të nxehtë.
Politikat e Kinës për COVID-19 – sëmundjen që shkakton koronavirusi – u kërkojnë qyteteve që të zbatojnë masa të ashpra izolimi, nëse raportohen disa raste infektimi.
Megjithatë, kjo politikë e Pekinit është kritikuar për shkak të ndikimit që ka në rritje ekonomike.
Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Deri më tani janë regjistruar mbi gjashtë milionë njerëz të vdekur me këtë virus.