Rriten rastet me COVID-19 në Kinë

Vaksinimi kundër koronavirusit në Kinë. Fotografi nga arkivi.

Kina është duke përjetuar shpërthimin më të keq të koronavirusit në muaj, pasi rastet me COVID-19, që fillimisht u raportuan në qytetin Nanjing, tashmë janë shpërndarë në disa rajone, përfshirë edhe në kryeqytet, Pekin.

Mbi 200 infektime janë raportuar në mbarë vendin, e që janë të lidhura me shpërthimin në Nanjing, por COVID-19 është duke u përhapur me shpejtësi, për shkak të variantit më ngjitës Delta.

Varianti Delta është duke testuar strategjinë e Kinës për koronavirusin. Ky shtet, për dallim nga shtetet tjera, për disa muaj nuk kishte regjistruar raste me koronavirus.

Qindra-mijëra persona në provincën Jinagsun janë detyruar që të mbyllen në shtëpitë e tyre, derisa në Nanjing janë testuar dy herë e gjithë popullata prej 9.2 milionë banorësh. Raste të reja u raportuan më 31 korrik në provincën Fujian dhe qytetin Chongqing ku jetojnë mbi 30 milionë banorë.

SHIKONI EDHE: Kina përballet me shpërthimin më të keq të koronavirusit, pas atij të Vuhanit

Autoritetet në Chongqing kanë urdhëruar testime masive për njerëzit që së fundmi kanë vizituar vendet ku janë konfirmuar rastet me koronavirus.

Në Kinë, deri më tani janë administruar 1.6 miliard doza të vaksinës kundër COVID-19. Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se synojnë të vaksinojnë plotësisht 80 për qind të popullatës deri në fund të vitit.

Por, ka shqetësime lidhur me efikasitetin e vaksinave të Kinës kundër COVID-19, pasi ato thuhet se janë efektive rreth 50 deri në 80 për qind. Por, efikasiteti i vaksinave të Kinës mund të jetë më i ulët ndaj variantit Delta.