Kirgizia pritet t’u bashkohet vendeve të botës që veprojnë në hapësirë në fillim të tetorit, kur një “nanosatelit” i prodhuar në këtë vend të Azisë Qendrore do të lëshohet në orbitë me një raketë të kompanisë SpaceX.
Sateliti, që ka madhësinë e një buke, do të përdorë një grup kamerash dhe sensorësh për t’i vëzhguar të mbjellat, ndikimin e fatkeqësive natyrore dhe për të “zbuluar shenjat e hershme të thatësirës”, sipas një deklarate të Ministrisë së Bujqësisë së Kirgizisë, më 24 shtator, për këtë pajisje hapësinore.
Një specialiste nga Kirgizia shpjegon funksionet e satelitit të prodhuar në vend.
Sipas Ilya Cherny, drejtorit të kompanisë teknologjike Kyrgyz Electronics, e cila mbikëqyri projektin, një ekip prej rreth 10 inxhinierësh kirgizë punoi për dy vjet e gjysmë në këtë anije hapësinore prej 5 kilogramësh. Ajo ka një jetëgjatësi të parashikuar prej 15 vjetësh, ndërsa mediat vendase e kanë vlerësuar koston e ndërtimit në rreth 130.000 dollarë.
Zyrtarët kirgizë e përshkruajnë anijen hapësinore si të zhvilluar dhe të montuar në vend, megjithëse Cherny tha se “shumica e teknologjive” brenda nanosatelitit janë ruse, “sepse zhvillimi nga e para kërkon 5-10 vjet”.
Lëshimi i satelitit kirgiz në orbitë nga Kalifornia, i planifikuar për 1 tetor, shënon zhvillimin më të fundit të rëndësishëm në garën hapësinore që po ndizet në Azinë Qendrore.
Prezantimi i një modeli të një sateliti uzbek në shkurt.
Në gusht, Uzbekistani lëshoi në orbitë një satelit të prodhuar në Kinë, i cili përfshinte një “modul të inteligjencës artificiale të zhvilluar nga specialistë të Agjencisë Uzbekcosmos”. Përveç kësaj, Tashkenti së fundmi njoftoi planet për të prodhuar satelitin e vet deri në vitin 2028.
Kazakistani ka disa satelitë të prodhuar në vend në orbitë dhe në shtator njoftoi planet për krijimin e “një konstelacioni ndërkombëtar prej nëntë satelitësh të destinuar për vëzhgimin e Tokës”. Konstelacioni pritet të përfshijë satelitë të siguruar nga Mongolia, Republika e Kongos dhe Nigeria.
Nelly Bekus, eksperte për Azinë Qendrore në Universitetin e Exeterit, i tha Radios Evropa e Lirë se për shtetet që janë në gjendje të prodhojnë infrastrukturën e tyre hapësinore, përpjekja dhe shpenzimet konsiderohen të vlefshme nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare.
“Në vitet e fundit, me rritjen e tensioneve gjeopolitike në mbarë botën, qasja e pavarur në të dhënat satelitore të menaxhuara nga ekipe kombëtare është bërë gjithnjë e më e rëndësishme për sigurinë e shteteve”, tha ajo.
Bekus shtoi se “kapacitetet hapësinore kanë qenë prej kohësh të lidhura me idetë e një shtetësie përparimtare, duke ofruar dëshmi shumë të dukshme të fuqisë teknologjike të një vendi dhe të pozitës së tij në skenën botërore”.
Sateliti i prodhuar në Kirgizi, i cili pritet të lëshohet në orbitë në fillim të tetorit.
Analistë të tjerë perëndimorë kanë vënë në dukje prirjen e qeverive autoritare për të ruajtur një “ndërprerës” për komunikimet gjatë trazirave civile.
Astana e ndërpreu internetin në Kazakistan për disa ditë gjatë protestave masive në vend në fillim të vitit 2022, ndërsa Uzbekistani ka deklaruar se sateliti i prodhuar në vend, i planifikuar për vitin 2028, do të sigurojë atë që autoritetet e quajnë “burim sovran dhe objektiv informacioni” në vend.
Kur Kazakistani ishte përfshirë në diskutime për prezantimin e Starlinkut për popullsinë e tij rurale, negociatat me SpaceX-in e Elon Muskut hasën në ngërç për shkak të kërkesës së Kazakistanit që stacionet tokësore – antena komunikimi që transmetojnë sinjale te satelitët që kalojnë sipër tyre – të ndërtoheshin brenda vendit, duke i mundësuar Astanës të ruante kontrollin.