Klodian Braho do të udhëheqë Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK), pasi mori shtatë vota nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, raportojnë mediat në Shqipëri.
Ai do të marrë drejtimin e SPAK-ut pasi kreut aktual, Altin Dumani, t’i përfundojë mandati.
Braho ka përvojë 18-vjeçare në sistemin e drejtësisë dhe është pjesë e SPAK-ut që nga themelimi i këtij institucioni në dhjetor të vitit 2019.
Mediat në Shqipëri raportojnë se Braho para Këshillit të Lartë të Prokurorisë prezantoi arritjet e tij, duke përmendur edhe konfiskimin e 18.4 milionë eurove të krimit më 2023.
Ai deklaroi se synon të forcojë SPAK-un duke themeluar një sektor të posaçëm për analizën e informacionit. Gjatë prezantimit Braho tha se lufta kundër korrupsionit dhe garantimi i barazisë para ligjit ishin prioritete kryesore të kandidimit të tij, teksa theksoi se është e rëndësishme që të mbështetet pavarësia e prokurorëve.
Për kreun e SPAK-ut ishin katër kandidatë që prezantuan platformën e tyre para Këshillit të Lartë. Në këtë seance ishte e pranishme edhe e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, ambasadori i BE‑së, Silvio Gonzato, dhe ambasadori britanik, Nicholas Abbott.
Braho do të jetë udhëheqësi i tretë i SPAK-ut. Kryetari i parë ishte Arben Kraja dhe më pas e mori drejtimin Altin Dumani.
Braho ka mandat 3-vjeçar në krye të SPAK-ut dhe nuk ka të drejtë të rizgjedhjes.
Një ditë para zgjedhjes së kreut të ri, zëvendësdrejtori për Çështje të Evropës Qendrore dhe Lindore i SHBA-së, Lyn Bebevoise vizitoi SPAK-un dhe shprehu mirënjohje për punën e Dumanit me autoritetet amerikane për të luftuar rrjetet e paligjshme “që kërcënojnë sigurinë e SHBA-së dhe luftën kundër korrupsionit, i cili dëmton kompanitë dhe investitorët amerikanë”.
“Përpjekjet e zotit Dumani vendosin standardin për një bashkëpunim të fortë SHBA-Shqipëri kundër organizatave kriminale transnacionale, që shpresojmë se do të vazhdojë edhe pasardhësi i tij”, u tha në njoftim.
Karriera e Brahos
Braho, 43-vjeçar, ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë më 2004 dhe më 2008 në Shkollën e Magjistraturës.
Ka qenë prokuror në Prokurorinë e Beratit dhe më pas në atë të Vlorës ku ishte pjesë e njësisë Task-Forcë dhe për dy vjet e drejtoi atë. Ai ishte edhe zëvendësdrejtues i kësaj prokurorie.
Nga viti 2016 deri më 2019 punoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, si pjesë e njësisë për hetimin e korrupsionit dhe pasurisë, me kompetencë për të hetuar zyrtarët e lartë shtetërorë dhe zyrtarët e drejtësisë.
Ndërkaq, që nga dita e themelimit të SPAK-ut ai është pjesë e saj. Nga prilli i vitit 2023, Braho mbajti detyrën e drejtuesit të seksionit kundër korrupsionit në SPAK.
SPAK është krijuar në dhjetor të vitit 2019, pas ndryshimeve kushtetuese që u votuan më 2016. Kjo strukturë ka hetuar disa ish-zyrtarë, ish-ministra e deputetë, të cilët janë duke e vuajtur dënimin.
Ky organ ka kryer hetime kundër korrupsionit ndaj figurave të larta, sikurse ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Berisha është liruar nga arresti shtëpiak në fund të nëntorit të vitit të kaluar, ndërkaq Meta gjendet në paraburgim.
SHIKONI EDHE: SPAK pezullon nga detyra zëvendëskryeministren e Shqipërisë, Belinda BallukunSë voni, struktura kundër korrupsionit ka ngritur aktakuzë ndaj ndaj zëvendëskryeministres të Shqipërisë, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Ajo është pezulluar nga detyrat shtetërore dhe i është ndaluar largimi nga Shqipëria.