KE: Pagesat nga Plani i Rritjes, pas njoftimit formal nga Kosova

Flamuri i BE-së dhe ai i Kosovës vendosur në një tavolinë në Presidencën e Kosovës. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Komisioni Evropian po pret që Kosova ta njoftojë zyrtarisht për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve të ratifikuara ndërkombëtare në mënyrë që të nisë me pagesën e para-financimit nga Plani i Rritjes.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian i tha Radios Evropa e Lirë se Kosova ka bërë kërkesë për lirimin e deri në 7 për qind të shumës totale të para-financimit nga Instrumenti për Reforma në Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se pasi që marrëveshjet që lidhen me reformat e Planit të Rritjes janë ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, shteti kualifikohet që të përfitojë para-financim.

“Sapo ligjet të shpallen zyrtarisht dhe kjo t’ia komunikojë zyrtarisht Komisionit, dhe me kusht që të përmbushen kushtet e përgjithshme [stabiliteti makroekonomik, menaxhimi i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit] dhe parakushtet [respektimi i mekanizmave demokratikë, angazhimi konstruktiv në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë] mund të bëhet lëshimi i fondeve nën Planin e Rritjes”, tha një zëdhënës i KE-së për Radion Evropa e Lirë.

Sipas rregullores së Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, parakushtet dhe kushtet e përgjithshme duhet të vlerësohen çdo herë kur kryhet një pagesë. Kjo nënkupton se sapo marrëveshjet për kredi dhe e instrumentit të reformave hyjnë në fuqi, Bashkimi Evropian do të shpërndajë fondet e para-financimit, me kusht që të përmbushen kriteret për pagesën. Vlerësimi nëse janë plotësuar kushtet jepet para çdo pagese dhe ky rregull vlen për të gjitha shtetet përfituese nga Plani i Rritjes.

Më 13 shkurt, legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës ratifikoi marrëveshjet ndërkombëtare me Bashkimin Evropian. Këto marrëveshje kapin vlerën prej 882 milionë eurove.

Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 - është në vlerë të 6 miliardë eurove. Nëse analizohen ndarjet buxhetore, Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro – 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë – që do të thotë se përfiton më së shumti fonde në rajon për kokë banori.

Po ashtu u ratifikuan edhe dy marrëveshje të tjera të nevojshme për t’i siguruar fondet: atë që e mundëson paketën e planit dhe planin e reformave dhe tjetra për marrëveshjen e kredisë.

Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh përfshin investime dhe reforma për vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e agjendës reformuese për periudhën 2024-2027. Nga kjo shumë, dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë euro janë në formë kredie me këste shumë të favorshme.

Plani synon të përshpejtojë reformat dhe t’i përgatisë ato për anëtarësim.

Qëllimi kryesor është mbështetja për harmonizimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor me vlerat, ligjet, rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e BE-së, me qëllim të anëtarësimin e ardhshëm në BE, si dhe integrimin progresiv të tyre në një treg të vetëm evropian, si dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në.

Burimet financiare janë planifikuar për të mbështetur një sërë reformash socio-ekonomike dhe themelore, duke përfshirë reformat që lidhen me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.

Parakushtet e përgjithshme për mbështetjen e BE-së sipas Planit të Rritjes përfshijnë mbështetjen dhe respektimin e vazhdueshëm për mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumë-partiak, zgjedhje të lira dhe të ndershme, media pluraliste, një gjyqësor të pavarur dhe sundim të ligjit, si dhe garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e pakicave.

Gjatë vitit të kaluar, kur Kosova u përball me një krizë politike dhe mungesë të institucioneve të reja, u ngritën shqetësime lidhur me rrezikun e humbjes së këtyre fondeve, pasi marrëveshjet nuk ishin ratifikuar.

Megjithatë, dy ditë pas formimit të Kuvendit dhe Qeverisë së re, deputetët e legjislaturës së dhjetë votuan për ratifikimin e marrëveshjeve me BE-në dhe për ato me Bankën Botërore.

Megjithat;, Kosova ka shumë pak kohë për përmbushjen e një pjese të reformave, nëse dëshiron të përfitojë nga mjetet financiare të Planit të Rritjes. Pakoja financiare për të gjithë rajonin është paraparë për periudhën 2024–2027. Një pjesë e reformave që duhet të përmbushen e kishte afatin përfundimtar në dhjetor 2024, ndërsa pjesa tjetër në dhjetor 2025.

Komisioni Evropian lejon të ashtuquajturën “periudhë gri”, sipas së cilës afati përfundimtar zgjatet me dy vjet për hapat që duhej të paguheshin në dhjetor 2024 dhe me një vit për të gjithë hapat që duhej të paguheshin në qershor 2025 e më pas. Sipas shpjegimeve të zyrtarëve të KE-së, nëse një hap nuk përmbushet deri në fund të periudhës gri, shteti përfitues humbet fondet e alokuara për atë hap. Para çdo pagese bëhet vlerësimi i reformave të zbatuara.

Serbia në janar mori diçka më shumë se gjysmën e mjeteve të parapara, pasi nuk i kishte përmbushur të gjitha reformat. Në vend të 112 milionë eurove të planifikuara, vendi mori rreth 61 milionë, pasi kishte përmbushur vetem tri nga shtatë reformat e parapara.

SHIKONI EDHE: KE-ja pritet t’i japë Serbisë pjesën e parë të fondeve nga Plani i Rritjes

Kosova ishte ndër vendet e para të Ballkanit Perëndimor që miratoi Agjendën e Reformave të kërkuar nga Plani i Rritjes i BE-së, i cili u miratua nga Komisioni Evropian në tetor të vitit 2024.