Delegacioni i kongresistëve amerikanë mbërrin në Kosovë

Kongresisti Keith Self (i pari majtas) dhe kongresisti Suhas Subramanyam (i dyti majtas) e vizitojnë kampin Bondsteel në Kosovë - bazën më të madhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Ballkan - 26 maj 2026.

Delegacioni i kongresistëve amerikanë ka mbërritur të martën në Prishtinë, si pjesë e turit të tyre në Ballkanin Perëndimor, ku të nesërmen pritet të ketë takime edhe me udhëheqësit e Kosovës.

Delegacioni, i përbërë nga Keith Self nga radhët e republikanëve dhe Suhas Subramanyam nga radhët e demokratëve, e vizituan të martën pasdite kampin Bondsteel - bazën më të madhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Ballkan, njoftoi Ambasada amerikane në Prishtinë.

“Delegacioni kaloi pasditen në kampin Bondsteel duke u takuar me anëtarët e shërbimit të përkushtuar të Komandës Rajonale të KFOR-it-Lindje dhe Grupit Mbështetës të Zonës-Ballkan”, shkroi Ambasada në X.

Vizita e tyre në Kosovë zhvillohet pas atyre në Sarajevë dhe Serbi, përfshirë Luginën e Preshevës, ku Self dhe Subramanyam theksuan se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë.

Self tha në Preshevë se "kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje".

Ai tha se po i vizitojnë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre në këto vende.

SHIKONI EDHE:

Delegacioni i kongresistëve në Preshevë: Ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë

Të mërkurën paradite, Self dhe Subramanyam pritet të takohen me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiun.

Javën e kaluar, Kurti njoftoi se e kishte zhvilluar një takim virtual me një grup kongresistësh, në mesin e tyre edhe Self.

“Bashkëpunimi dypalësh në mbrojtje midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është më i fortë se kurrë. Kjo, kryesisht, për shkak të mbështetjes dërrmuese dypartiake që Kosova gëzon në Kongresin e SHBA-së”, shkroi Kurti në X, pas asaj bisede.

Në fund të prillit, Self, bashkë me kolegët e tij, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, propozuan një rezolutë që synon ta shtyjë përpara rrugën e Kosovës drejt NATO-s.

Rezoluta me mbështetje dypartiake thekson, mes tjerash, se “qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa shumetnike përbëjnë një argument bindës për anëtarësimin në NATO”.

SHIKONI EDHE:

Në SHBA riafirmohet mbështetja për Kosovën në NATO - dështon kushtëzimi ndaj Greqisë për mosnjohje

Kosova nuk ka bërë ende kërkesë formale për t’u anëtarësuar në NATO, pasi përballet me pengesa të mëdha, siç është mungesa e njohjes së saj nga katër vendet anëtare: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Ajo gjithashtu është aktualisht duke e shndërruar Forcën e Sigurisë në ushtri të plotë, që pritet të zgjasë deri më 2028.

Për më tepër, Kosova nuk është as pjesë e programit të NATO-s, Partneriteti për Paqe, i cili shërben si rrugë për çdo vend që dëshiron të bëhet anëtare e aleancës ushtarake.

Pranimi i një anëtari të ri kërkon njëzëshmëri brenda aleancës, prandaj edhe rezoluta e paraqitur nga kongresistët i kërkon Uashingtonit t’i nxisë këto katër vende anëtare ta njohin shtetin më të ri në Evropë.