Koralet dhe nafta e papërpunuar: Jeta në ishullin Harg të Iranit

Më 30 mars, Donald Trump e kërcënoi Iranin me “shkatërrimin e plotë” të ishullit Harg, nëse nuk arrihet një marrëveshje me Teheranin për t’i dhënë fund luftës me SHBA-në dhe Izraelin.

Paralajmërimi i presidentit amerikan ka bërë që vëmendja të përqendrohet mbi rolin qendror të këtij ishulli në det të hapur në ekonominë e Iranit dhe në tregjet globale të energjisë.

Një rrugë në qendër të qytezës së ishullit Harg, në cepin verilindor të ishullit, fotografuar në vitin 2022.

Rreth 90 për qind e eksporteve të naftës së Iranit dërgohen nga ishulli Harg, kryesisht drejt Kinës, duke përdorur infrastrukturë të ndërtuar gjatë kohës së Shahut të fundit të Iranit.

Vija bregdetare e ishullit Harg në vitet '50, para se ishulli të shndërrohej në qendrën kryesore të eksportit të naftës së Iranit.

Harg u përshkrua në vitet 1800 si “pika strategjike më e rëndësishme në Gjirin Persik”, për shkak të pozicionit të tij në krye të gjirit dhe furnizimit me ujë natyror.

Në vitet ‘50, Hargu u përdor si një koloni ndëshkuese për kundërshtarët e Shahut, përpara se të zgjidhej si vend për një terminal të planifikuar eksporti nafte.

Një varr i lashtë i gdhendur në shkëmb në ishullin Harg.

Ishulli me korale i pjekur nga dielli, i cili ndodhet 31 kilometra larg bregdetit të Iranit, u zgjodh për t’u bërë qendra kryesore e eksportit të naftës për vendin e Lindjes së Mesme për shkak të ujërave të thella përreth dhe detit relativisht të qetë.

Të dy këta faktorë ua mundësojnë cisternave të mëdha të naftës të ankorohen pranë ishullit dhe të mbushen me naftë iraniane, para se të lundrojnë drejt jugut përmes Ngushticës së Hormuzit dhe më pas drejt tregjeve botërore të naftës.

Tubacionet e naftës në ishullin Harg duke u ndërtuar në vitet '70.

Shkrimtari iranian, Jalal Al-e-Ahmad, e vizitoi ishullin gjatë shndërrimit të tij në një qendër nafte që filloi në vitin 1959. Ai përshkroi makineritë e drejtuara nga inxhinierë iranianë dhe perëndimorë që “po fshinin Hargun e vjetër nga faqja e dheut”.

Cisterna nafte përgjatë portit lindor të ishullit Harg në vitet '60.

Tubacione nënujore që transportonin naftë rreth 37 kilometra nga toka iraniane u vendosën drejt Hargut, ku rezervuarë magazinimi deri në një milion fuçi secili mund ta ruanin naftën.

Gjeografia e ishullit lejonte që nafta të rridhte me gravitet drejt cisternave pa pasur nevojë për sisteme komplekse të pompimit.

Doku perëndimor i ishullit Harg duke u ndërtuar në ujëra mjaftueshëm të thella për të përballuar cisternat më të mëdha të karburantit që ekzistojnë.

Zhvillimi vazhdoi në vitet ‘70, kur një “ishull detar” (i paraqitur më sipër), që lejonte ngarkimin e cisternave më të mëdha të naftës përmes tubacioneve nënujore, u përfundua pranë brigjeve perëndimore të Hargut.

Një plazh për përdorim nga punonjësit e Kompanisë Kombëtare Iraniane të Naftës në Harg, në vitin 1970.

Pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, objektet në Harg, të cilat pjesërisht drejtoheshin nga gjiganti amerikan i naftës Amoco, u morën nën kontroll nga sundimtarët e rinj të Iranit.

Në vitin 1990, Teherani pagoi më shumë se gjysmë miliardi dollarë si kompensim për Amoco për konfiskimin e infrastrukturës së naftës në Harg, si dhe disa fushave të shpimit në det të hapur.

Një cisternë nafte digjet në dhjetor 1987 pasi u sulmua nga një anije luftarake iraniane ndërsa po i afrohej Ngushticës së Hormuzit.

Në vitin 1984, sulmet irakiane ndaj objekteve të naftës në ishullin Harg gjatë konfliktit Iran-Irak përshkallëzuan atë që u bë e njohur si “lufta e cisternave”, në të cilën të dyja palët sulmonin anijet që transportonin naftën e kundërshtarit. Objektet në Harg u “shkatërruan pothuajse plotësisht” nga Forcat Ajrore të Irakut gjatë viteve ‘80.

Tubacionet dhe rezervuarët e magazinimit të naftës në Harg në vitin 2017.

Pas përfundimit të riparimeve pas luftës Iran-Irak dhe zgjerimit të objekteve në Harg, qendra e naftës po shkarkonte rreth 1.5 milion fuçi naftë në ditë, një vëllim me vlerë rreth 172 milionë dollarë sipas çmimeve të prillit 2026.

Një fotografi e kombinuar tregon një vend në ishullin Harg më 25 shkurt (sipër), para sulmeve amerikane, dhe më 14 mars, pasi Amerika shënjestroi objekte të supozuara ushtarake në ishull.

Pas sulmeve amerikane ndaj objekteve ushtarake në Ishullin Harg më 13 mars, Trump theksoi se “ne shkatërruam gjithçka në ishull përveç zonës ku ndodhet nafta…”

Një imazh që pretendon të tregojë punëtorët iranianë që nisen me traget nga toka në Iran për në Harg pas sulmeve të 13 marsit.

Sot besohet se rreth 8.000 njerëz jetojnë në ishull, i cili ruhet rreptësishtë nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.

Kafshë të egra në ishullin Harg.

Analistët thonë se çdo sulm ndaj objekteve të naftës në Harg, të cilat i sjellin Teheranit dhjetëra miliarda dollarë të ardhura çdo vit, do të paralizonte aftësinë e regjimit iranian për të funksionuar.

Por, një veprim i tillë do të kishte gjithashtu një ndikim të madh në ekonominë botërore në një kohë kur çmimet e energjisë tashmë janë në rritje të ndjeshme.