Koreja e Veriut lëshon raketa të tjera balistike, zbeh shpresat e Seulit për uljen e tensioneve

Një burrë kalon pranë një ekrani televiziv që tregon një transmetim lajmesh me pamje nga një testim rakektor të Koresë së Veriut, në një stacion treni në Seul, më 8 prill 2026.

Koreja e Veriut i ka lëshuar disa raketa balistike të mërkurën, njoftoi ushtria e Koresë së Jugut. Shtimi i testimeve raketore ia ka zbehur shpresat Seulit për uljen e tensioneve.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Koresë së Jugut (JCS) tha se Koreja e Veriut lëshoi një raketë tjetër të paidentifikuar në mëngjes herët të mërkurën nga zona e Uonsanit, drejt ujërave në bregun lindor të saj.

Në orët e para të së mërkurës, Koreja e Veriut kishte lëshuar disa raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, gjithashtu nga e njëjta zonë, sipas JCS-së.

Raketat përshkuan rreth 240 kilometra, ndërsa autoritetet e Koresë së Jugut dhe të Shteteve të Bashkuara po kryejnë një analizë të hollësishme rreth tyre.

SHIKONI EDHE:

Koreja e Veriut paralajmëron për më shumë “veprime sulmuese”

Ushtria e Koresë së Jugut tha gjithashtu se kishte zbuluar lëshimin e një rakete të dyshuar balistike nga afër Phenianit të martën.

Shtëpia e Kaltër presidenciale e Koresë së Jugut thirri takim urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të mërkurën, duke i cilësuar lëshimet e mëparshme si provokim që shkel rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sipas raportimeve mediatike.

Ajo i bëri thirrje Phenianit t’i ndalë testimet e tilla.

Roja Bregdetare e Japonisë tha se raketa e fundit ra në det rreth 10 minuta pas lëshimit.

Tokio theksoi se asnjë raketë nuk hyri në ujërat territoriale apo në zonën ekskluzive ekonomike.

Veprimet e Phenianit “kërcënojnë paqen dhe sigurinë në rajon dhe në komunitetin ndërkombëtar”, tha sekretari i përgjithshëm i Kabinetit të Japonisë, Minoru Kihara.

Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap të Koresë së Jugut, e cila citoi zyrtarë ushtarakë, objekti i lëshuar të martën ka mundësi të ketë qenë raketë balistike që fluturoi drejt lindjes, por shfaqi shenja anomalie në fazën e hershme të fluturimit dhe më pas u zhduk.

SHIKONI EDHE:

Koreja e Veriut mban paradë ushtarake, shfaq raketën e re ndërkontinentale

Kjo nënkupton se Koreja e Veriut i ka lëshuar gjashtë raketa balistike këtë vit, pas dy lëshimeve në janar dhe një tjetri në mars.

Koreja e Jugut zakonisht njofton menjëherë për lëshimet e raketave balistike nga Koreja e Veriut, pasi teste të tilla shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër programit raketor të Veriut.

Pheniani e kundërshton këtë ndalim të OKB-së dhe thotë se ai cenon të drejtën e tij sovrane për vetëmbrojtje.