Kosova e ka nënshkruar të hënën një marrëveshje formale për t’iu bashkuar listës së shkurtër të shteteve që janë zotuar të jenë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) në Gazë, sipas një postimi në rrjetet sociale të Bordit të Paqes, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
“Përfaqësuesit e Republikës së Kosovës, Bordit të Paqes dhe Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, nënshkruan Marrëveshjen për Shtetet Pjesëmarrëse, për përfshirjen e Kosovës në ISF”, thuhet në postim.
Marrëveshja, e nënshkruar nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe komandanti amerikan i ISF-së, gjeneralmajor Jasper Jeffers, formalizon përfshirjen e Kosovës në forcën e planifikuar.
“Ky zhvillim i rëndësishëm nënvizon përkushtimin e Kosovës ndaj misionit të ISF-së dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për planin 20-pikësh për Paqe të presidentit [Donald] Trump”, thuhet në deklaratën e Bordit të Paqes.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se është bërë një hap i rëndësishëm drejt angazhimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gazë, pas nënshkrimit të marrëveshjes që rregullon aspektet teknike të pjesëmarrjes së kontingjentit të FSK-së në këtë mision.
Senatorja amerikane Joni Ernst përshëndeti vendimin e Kosovës për t’iu bashkuar Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gazë, duke e falënderuar Prishtinën që “iu përgjigj thirrjes” dhe që po kontribuon, së bashku me aleatët dhe partnerët, për më shumë siguri dhe stabilitet.
Kosova ishte ndër vendet e para që u zotua për të dërguar trupa në kuadër të këtij misioni në Gazë dhe në fillim të vitit, dërgimi i FSK-së u miratua nga Kuvendi dhe u autorizua nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.
SHIKONI EDHE:
Kosova ndjek SHBA-në në GazëNjë ekip i FSK-së shkoi në prill në Rripin e Gazës për të bërë një vlerësim të vendit ku pritet të veprojnë trupat kosovare si pjesë e një force ndërkombëtare në territorin palestinez.
Deri tani, pesë shtete janë zotuar të dërgojnë trupa në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF): Kosova, Shqipëria, Indonezia, Maroku dhe Kazakistani, ndërsa Egjipti dhe Jordania janë zotuar të trajnojnë policinë.
Forca Ndërkombëtare Stabilizuese buron nga një plan 20-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë.
Trumpi krijoi Bord të Paqes për të mbikëqyrur planin e tij për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë dhe për të rindërtuar territorin e shkatërruar.
Sipas planit, forca paqeruajtëse duhet të zhvendosen në Gazë për të siguruar zonat pas tërheqjes së forcave izraelite, si dhe t’i trajnojnë forca e reja policore palestineze dhe të mbështesin dërgimin e ndihmave atje.
SHIKONI EDHE:
Trump thotë se është arritur marrëveshje për çarmatimin e HamasitPjesa më e madhe e Gazës mbetet në rrënoja pas dy vjetësh luftë, e cila u shkaktua nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Hamasi është grupi i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE.
Por, që nga njoftimi për një marrëveshje në fund të korrikut, përpjekjet për dërgimin e trupave kanë ngecur, pasi si Izraeli, ashtu edhe Hamasi nuk kanë pranuar t’i përmbushin kushtet që do ta mundësonin zbatimin e marrëveshjes.
I dërguari i Trumpit dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, zhvilloi takime të ndara me zyrtarë të Hamasit dhe me udhëheqës izraelitë në gusht, por u largua pa ndonjë përparim, pasi të dyja palët qëndruan të palëkundura në kërkesat e tyre kryesore.
Prandaj, mbetet e paqartë se kur do të mund të dërgohen trupat e misionit ndërkombëtar në Gazë.
Plani i armëpushimit e ka ulur dhunën në Gaza, por nuk i ka dhënë fund sulmeve izraelite dhe as nuk ka siguruar çarmatimin e militantëve.
Më shumë se 1.200 palestinezë dhe katër ushtarë izraelitë janë vrarë në Gaza që nga arritja e armëpushimit në tetor, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës dhe ushtrisë izraelite.