Në një seancë solemne të enjten, krerët e shtetit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, e kanë vlerësuar Betejën e Koshares si historike për luftën çlirim e vendit nga Serbia.
Me një minutë heshtje, deputetët e Kuvendit të Kosovës e shënuan 25-vjetorin e Betejës së Koshares, që u zhvillua mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë serbe në perëndim të vendit gjatë luftës së viteve 1998/1999.
Presidentja Osmani tha se Beteja e Koshares, e cila u zhvillua gjatë muajve prill-qershor 1999, është “operacioni më i madh ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Sikurse edhe në shumë kapituj të historisë tonë të luftës, guximi, sakrifica dhe vendosmëria përmblidhen edhe në Betejën e Koshares”, tha Osmani.
Kryeministri Kurti, tha se Beteja e Koshares pasqyron tërë luftën e Kosovës “si në një format miniature, aty e shohim se në luftimet e Betejës së Koshares janë të përfshirë luftëtarë dhe njësite nga të gjitha zonat operative të UÇK-së si dhe nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë”, tha Kurti.
Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, tha se kjo betejë shënoi mobilizim mbarëkombëtar në luftën për çlirimin e Kosovës nga okupimi serb.
“Kjo betejë shënon një përbashkim të lartë kombëtar, një gjithëpërfshirje të të gjitha trevave e luftëtarëve që merrnin pjesë nga të gjitha viset e kombit tonë, duke përfshirë edhe mërgatën, e bënë këtë betejë një nga betejat më domethënëse në kuptimin e mobilizim kombëtar shqiptar për çlirimin e Kosovës, sepse në Koshare luftoi e gjithë shqiptaria”, tha Konjufca.
Luftimet në Betejën e Koshares u zhvilluan për 77 ditë me radhë, nga 9 prilli deri më 19 qershor 1999, në anën kufitare të Kosovës me Shqipërinë.
Gjatë atyre luftimeve u vranë 114 dhe u plagosën 423 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.