Kosova do të ndërmarrë një nismë të re për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, pasi ndryshimet e tanishme në këtë ligj të vitit 2015 s'u miratuan mes kundërshtimeve të ashpra nga ndërkombëtarët.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në opozitë, u pajtuan për një nismë të re të enjten, në ditën kur votimi për ndryshimet e propozuara në këtë ligj, të cilat do t’ia kufizonin kompetencat kësaj gjykate me seli në Hagë, u shty për herë të dytë brenda ditësh.
Ndryshimet e miratuara në tetor u kthyen në Kuvend për rishqyrtim nga presidentja e vendit, Justina Shiroka Pula, me kërkesën e vet iniciueses, PDK-së. Ato u miratuan pak javë pasi kjo gjykatë i dënoi në shkallë të parë katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kurti e takoi më herët gjatë ditës ushtruesen e detyrës së kryetarit të PDK-së, Vlora Çitakun, për të biseduar për këtë çështje, pasi kishte shprehur ngurrim për ta lejuar të futet në fuqi një ligj që nxiti kundërshtime nga ndërkombëtarët.
PDK-ja kishte ngulur këmbë që ndryshimet të miratoheshin dhe më pas ligji të ndryshohej në dy javët pas hyrjes në fuqi, për t’i adresuar shqetësimet e ndërkombëtarëve, por në fund hoqi dorë nga kjo kërkesë.
SHIKONI EDHE:
Pse është i vështirë ndryshimi i Ligjit për Specialen dhe çfarë ndikimi do të mund të kishte?Kurti tha gjatë seancës se ai nuk dyshon “në qëllimin e mirë” të PDK-së për ta ndryshuar Ligjin, por shtoi se “nuk mjafton vetëm kjo, duhet të kemi sukses, duhet të dalim fitimtarë”.
“Për këtë na duhet një ligj i cili nuk kthehet mbrapsht, nuk anulohet, por një ligj i cili ka efekt në realitet, në praktikë më pastaj”, tha Kurti.
Çitaku, duke folur më vonë në një konferencë për media, tha se me kryeministrin janë pajtuar për përmbajtjen e ligjit dhe për ndryshimet që duhet bërë në të.’
“Dallimet kanë qenë tek procedura parlamentare. Si rezultat, sot u pajtuam edhe për rrugën që do të ndjekim. Nismën e re ligjore menjëherë javën tjetër, me propozime tona konkrete dhe me propozimet e ekspertëve”, ka thënë Çitaku.
Kurti theksoi se pret që javën e ardhshme të dorëzohet një draft i ri për ligjin për Specialen, përmbajtja e të cilit duhet të hidhet në diskutim e më pas edhe në votim.
Ai bëri thirrje që përmbajtja e re të jetë në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Kosovës, “në mënyrë që të ndihmohet drejtësia”.
Ky lajm do të përditësohet