Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se me kërkesë të tij, sot është takuar me udhëheqësit partiakë dhe shtetërorë, për të biseduar për aktgjykimin dënues të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj katërshes së UÇK-së.
Më 16 shtator, Hashim Thaçi, ish-president i Kosovës, dhe Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, u dënuan me nga 25 vjet burgim. Kadri Veseli, po ashtu ish-kryetar i Kuvendit, u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi, ish-deputet, me 13 vjet.
Hamza zhvilloi takime të ndara me udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe atë të Aleancës, Ardian Gjini.
“Ne biseduam për seriozitetin e situatës së krijuar, sfidat me të cilat po përballemi, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në këtë periudhë të rëndësishme për popullin dhe shtetin tonë”, shkroi Hamza në rrjetet sociale.
Paraprakisht, Qeveria e Kosovës njoftoi se Kurti me Hamzën bisedoi për mënyrat që duhen ndjekur “për të korrigjuar” aktgjykimin dënues ndaj katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të shpallur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
“Duke e vlerësuar aktgjykimin të padrejtë, të rëndë dhe me pasoja të gjera, kryeministri Kurti theksoi se ai duhet ndryshuar pozitivisht në shkallën e apelit. Kurti e Hamza ndanë mendimet dhe përshtypjet e tyre si dhe diskutuan se cilat do të ishin rrugët e mënyrat që duhet ndjekur përpara për të korrigjuar vendimin e djeshëm”, u tha në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Në orët e mbrëmjes, në Prishtinë për të dytën ditë me radhë po mbahet protestë në mbështetje të katërshes së UÇK-së. Të pranishëm në protestë janë edhe djemtë e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
"Populli është me UÇK-në. UÇK është e pastër dhe besojmë në pafajësinë e gjithë çlirimtarëve tanë", tha djali i Thaçit, Endrit Thaçi.
Ndërkaq, Klestor Veseli, i biri i Kadri Veselit, ftoi qytetarët që të marrin pjesë në protestën e thirrur për mesditën e së premtes.
Ekipet mbrojtëse të katërshes së UÇK-së kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin e shkallës së parë.
Takimet e Hamzës me udhëheqësit partiakë dhe shtetërorë vijnë pasi strukturat udhëheqëse të PDK-së u takuan dhe Hamza tha më pas për mediat se beson se do të takohet me të gjithë udhëheqësit e subjekteve politike, duke argumentuar se aktgjykimi i shpallur nga Dhomat e Specilizuara të Kosovës në Hagë nuk është një çështje “që i takon vetëm një subjekti politik”.
“Besoj në bashkëpunimin mes partive politike, dhe në arritjen e konsensusit të nevojshëm”, deklaroi ai më herët gjatë 17 shtatorit.
Hamza u pyet edhe për mundësinë e ndonjë nisme për zhbërjen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë, që njihen si Gjykata Speciale.
“PDK-ja i ka nënshkrimet e gatshme, varësisht prej nevojave ne do të procedojmë. Nuk po flasim për zhbërjen e Gjykatës Speciale, po flasim për përshtatje me një situatë të re. Nuk po i ikim obligimit që e kemi marrë që Gjykata t’i hetojë, t’i prezantojë e faktojë të gjitha gjetjet e raportit të Dick Martyt për çka edhe është krijuar Gjykata”, deklaroi ai.
Hamza ka deklaruar pas vendimit të Gjykatës Speciale se PDK-ja do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme ligjore dhe demokratike për të kundërshtuar vendimin ndaj katërshes së UÇK-së.
Ndërkaq, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë prezantuar të enjten një "platformë të veprimit"që përfshin, siç është thënë, qëllimet, ekipet, kërkesat dhe mjetet përmes së cilave kjo organizatë do të veprojë pas vendimit të Speciales. Në mesin e pikave të përfshira në këtë platformë janë mbrojtja në Gjykatën e Apelit të katërshes së UÇK-së dhe ndryshimin ose shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Lidhur me vendimin e Gjykatës së Hagës, Kuvendi i Shqipërisë, ndërkaq, ka miratuar një deklaratë, që kërkon koordinimin e veprimeve me Kuvendin e Kosovës me qëllim "korrigjimin e kësaj padrejtësie në rrugë institucionale".
Të katër ish-eprorët e UÇK-së u shpallën fajtorë për katër akuzat për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
SHIKONI EDHE:
Tromp: Specialja u krijua për ta kënaqur Serbinë, jo për drejtësiEllis: Aktgjykimi mund të sfidohet si në fakte, ashtu edhe në ligjAta u liruan nga gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.
Gjykata Speciale u themelua më 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është gjykatë brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar në Holandë.
Ajo heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.