Kurti prezanton katër qëndrime për marrëveshjen finale me Serbinë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka prezantuar të dielën, ato që i ka konsideruar, katër qëndrimet e tij për ecjen përpara në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai i ka bërë këto deklarata në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti ka thënë se për palën kosovare, kërkesa për marrëveshje përfundimtare, ligjërisht obliguese, është ajo “që nuk e ndan njohjen nga Serbia prej ulëses në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Kosovën", duke shtuar se dialogu mes dy vendeve nuk mund të vazhdojë pafundësisht.

Lexoni edhe këtë: Osmani: Drejtësia, parakusht për paqe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë

Si pikë të dytë, ai ka përmendur një marrëveshje që ka formën dhe përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare, sipas kërkesave dhe qëllimeve të Konventës të Vjenës për Ligjin mbi Traktatet.

“E treta, po bëhen 23 vjet bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gati gjysma e kësaj periudhe nën ndërmjetësimin apo lehtësimin BE-së. Nuk mund të vazhdojmë pafundësisht, por, duhet ta dijnë qysh në fillim që dialogu, bisedimet, nuk janë për statusin e Kosovës, por për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që duhet të bazohet në barazi dhe reciprocitet, e tillë çfarë është edhe njohja e ndërsjellë”, ka deklaruar Kurti në takim, sipas fjalimit të publikuar në faqen e tij në Facebook.

Kurti ka thënë mes tjerash se “pavarësia e Kosovës është kompromis”.

“Pavarësinë nuk e kemi shpallur vitin e kaluar, por para 13 viteve dhe 4 vitet e para pavarësia e kishte Piter Faith-in sipër si autoritet sovran, ndërkaq tash e 13 vjet e ka Ahtisarin brenda, këtij kompromisi që është dashur ta sjell një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por që nuk ndodhi asnjëherë”, ka thënë ai.

Më 23 qershor, Kurti është pritur në Francë nga presidenti i këtij shteti Emmanual Macron dhe pas takimit, ky i fundit u ka bërë thirrje, si Kosovës, ashtu edhe Serbisë për t’u angazhuar si evropianë në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje "që do t’i bëjë të mundur Beogradit dhe Prishtinës të kthehen tek e ardhmja evropiane".

Lexoni edhe këtë: Macron: Kosova dhe Serbia të angazhohen për arritjen e një marrëveshjeje

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.

Raundi i fundit i dialogut është mbajtur më 15 qershor të këtij viti.

Ky njëherësh ka qenë takimi i parë që kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut.

Lexoni edhe këtë: Vuçiq: Serbisë nuk i duhet konflikt i ngrirë me Kosovën

Në fund të takimit, zyrtarët kanë bërë të ditur se nuk janë marrë vesh për asnjërën nga temat e ngritura.

Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik.