Kurti takon kongresistin amerikan Lawler, kritikon aktgjykimin e Speciales në Hagë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kongresisti amerikan, Mike Lawler, gjatë takimit në Nju Jork, 21 shtator 2026.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Nju Jork me kongresistin amerikan Mike Lawler, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë, me fokus te aktgjykimi i Gjykatës Speciale të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Lawler është anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe kryetar i Nënkomisionit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Gjatë takimit, Kurti e cilësoi aktgjykimin si “të padrejtë” dhe tha se duhet bërë dallimi mes pretendimeve të ngritura gjatë procesit dhe asaj që është provuar dhe vendosur nga gjykata.

Ai u ndal veçanërisht te pretendimet për “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve.

“Pretendimi për ‘Shtëpinë e Verdhë’ dhe trafikimin e organeve, mbi të cilin u krijua pjesa dërrmuese e narrativës që parapriu themelimin e Dhomave të Specializuara, nuk ishte fare pjesë e aktakuzës”, tha Kurti.

Pretendimet për trafikim organesh nga të burgosur të UÇK-së në të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri u bënë publike gjerësisht pas publikimit të raportit të Dick Martyt në vitin 2010, i cili çoi në krijimin e një hetimi të posaçëm dhe, më pas, të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Megjithatë, akuzat për trafikim organesh nuk u përfshinë në aktakuzën ndaj Thaçit dhe bashkëakuzuarve.

Ai gjithashtu theksoi se gjykata i kishte shpallur katër ish-krerët e UÇK-së të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

SHIKONI EDHE:

Detajet e verdiktit për ish-krerët e UÇK-së: Çka konstatoi trupi gjykues?

Më 16 shtator, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u shpallën fajtorë për disa krime lufte dhe u dënuan me burgim. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet burgim.

Në të njëjtin aktgjykim, trupi gjykues i shpalli ata të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit.

Kurti tha se “shqetësuese” mbetet, sipas tij, jotransparenca e Dhomave të Specializuara “që nga nisja e punës së saj e deri sot”, si dhe dënimet e shqiptuara, për të cilat tha se aktgjykimi “lëngon nga pasaktësia historike dhe faktike”.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, e nuk mund të njolloset në asnjë mënyrë”, shkroi Kurti.

SHIKONI EDHE:

Njeriu i 17 shkurtit nën hijen e 16 shtatorit

Katër ish-krerët e UÇK-së kanë mohuar fajësinë dhe kanë paralajmëruar se do ta apelojnë aktgjykimin e shkallës së parë.

Kurti ndodhet në SHBA, konkretisht në Nju Jork, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ai ka udhëtuar më 18 shtator dhe, sipas Zyrës së Kryeministrit, gjatë qëndrimit po zhvillon takime bilaterale me liderë botërorë për të promovuar interesat e Kosovës.

Po ashtu, në agjendë janë takimet me komunitetin shqiptar në SHBA, organizatat e diasporës dhe investitorë potencialë.

Sipas Kurtit, me kongresistin amerikan është diskutuar edhe për mundësitë e rritjes së investimeve amerikane në Kosovë, veçanërisht në teknologji, prodhim dhe energji.

Në takim mori pjesë edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi. Sipas Kurtit, një nga temat e diskutimit ishte situata e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Kurti tha se me Lawlerin ka diskutuar edhe për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Serbi, duke pretenduar se kjo praktikë prek mijëra shqiptarë dhe ka pasoja në të drejtën e votës dhe pajisjen me dokumente identifikimi.

SHIKONI EDHE:

Rasti për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Serbi dërgohet në Gjykatën e Strasburgut