Kush është Justina Shiroka Pula?

Justina Shiroka Pula

Justina Shiroka Pula është zgjedhur presidente e Kosovës më 7 tetor, në një votim që zgjati 13 minuta pas përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Ajo u zgjodh qysh në rundin e parë të votimit, me 81 vota për, minimumi i kërkuar në këtë rund.

Shiroka Pula, 73 vjeçe, u betua si presidente para deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe tha se e pranon “me përgjegjësi” detyrën e re.

“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve dhe shtetit”, tha ajo në fjalimin e saj para deputetëve.

Ajo u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do ta mbrojë Kushtetutën, interesin e republikës dhe interesat e qytetarëve të Kosovës.

SHIKONI EDHE:

Justina Shiroka Pula zgjidhet presidente e Kosovës

Kundërkandidatja e saj, Eliza Hoxha, e mori një votë, ndërsa dy vota ishin të pavlefshme.

Shiroka Pula u propozua në çastet e fundit të afatit për presidentin e ri nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kandidatura e saj u pranua nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

PDK e propozoi si kundërkandidate të saj deputeten e vet, Eliza Hoxhën.

Emërimi i saj ishte vetëm formalitet pastaj, pas arritjes së pajtueshmërisë mes Kurtit dhe Hamzës nga komunikimi tyre përmes konferencave për media.

Kush është Shiroka Pula?

Shiroka Pula është ekonomiste dhe akademike, gruaja e parë që udhëheq Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), institucion i themeluar më 1975.

Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në Prishtinë, ku më 1976 diplomoi në Fakultetin Ekonomik. Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i përfundoi më 1984 në Zagreb, ndërsa doktoroi në Universitetin e Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.

Shiroka Pula ka punuar në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa më 1978 nisi karrierën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Sipas biografisë së saj në ASHAK, ajo ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Lincit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara.

Nga viti 2008 deri më 2011, ajo ishte ministre e Energjisë dhe Minierave nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ishte deputete e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës

Pas luftës, ajo u angazhua edhe në shoqërinë civile, veçanërisht në fuqizimin e grave, barazinë gjinore dhe zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësisë.