Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për të dyzetekatërtën herë me radhë që ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Më 9 korrik, ligjbërësit refuzuan sërish që ta formonin një komision të propozuar për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive, të mërkurën, që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Ato pretendojnë se është jokushtetuese kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje – e cila fitoi shumicën e votave në zgjedhje – që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, ndërsa LVV-ja ngulmon se votimi i fshehtë është legjitim dhe kërkon të ecet përpara.
SHIKONI EDHE: Në kushte ideale, si do të duhej të zgjidhej kriza institucionale?Seanca konstituive do të vazhdojë të premten e 11 korrikut.
Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.
Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.
Kandidatja e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime të hapura t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post.
Haxhiu e LVV-së konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja.
Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.
SHIKONI EDHE: Pse Haxhiu është mollë sherri për konstituimin e Kuvendit?Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.
Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kërkoi nga deputetët që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh, por nuk shpjegoi se çfarë mund të ndodhë në rast të mosrespektimit të aktgjykimit të saj.
SHIKONI EDHE: Pas aktgjykimit të Kushtetueses, topi te marrëveshja politike... ose presidentjaPartitë politike vazhdojnë ta interpretojnë ndryshe-ndryshe atë.
Javën e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ftoi në takim përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar opsionet për dalje nga kriza.
Ajo e përmendi edhe mundësinë që t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.