PDK lëshon sallën e Kuvendit pasi LVV nuk ia voton kandidaten për nënkryetare

Vazhdimi i seancës konstituive më 9 shtator 2026.

Vazhdimi i seancës konstituive u ndërpre të premten, pasi Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh në postin e nënkryetarit, por jo edhe e propozuara e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku. Deputetët e PDK-së lëshuan sallën dhe paralajmëruan se do t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese.

LVV-ja tha se voton nga një kandidat nga PDK-ja dhe Lidhja Demokratike të Kosovës për postin e nënkryetarit, por tha se nuk voton persona “që duan ta çojnë vendin në zgjedhje”. Arbërie Nagavci nga LVV-ja tha se pret që PDK të bëjë propozimin e ri për postin e nënkryetarit, teksa nga LDK-ja tha se nuk kanë përkrahjen as për të propozuarin e tyre, Kujtim Shala.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, deklaroi se për vazhdimin e seancës deputetët do të njoftohen me kohë, teksa nga LVV-ja paralajmëruan se ajo do të vazhdojë brenda ditës.

Vazhdimi i seancës konstituive të premten nisi me mospajtime lidhur me formën e votimit të nënkryetarëve, por më pas me 71 vota për, u vendos që për pesë nënkryetarët të zhvillohej votim i ndarë.

Ardian Gola i Lëvizjes Vetëvendosje mori 100 vota dhe u zgjodh në këtë post. Por, Vlora Çitaku arriti të merrte vetëm 44 vota, pasi deputetët e LVV-së abstenuan.

Pas kësaj, Haxhiu kërkoi që PDK të bënte sërish propozim për postin e nënkryetarit, por përveç Mërgim Lushtakut, të gjithë deputetët e PDK-së u larguan nga salla plenare.

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, duke paralajmëruar se më nuk marrin pjesë në seancën konstituive.

"Nga sot, PDK nuk ka arsye të marrë pjesë në seancën plenare dhe ne do ta dërgojmë lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Jemi të sigurt që afatet kushtetuese kanë përfunduar më 7 gusht. Sot nuk po e respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses për mënyrën e votimit, pasi aty thuhet se duhet të ketë konsensus. Nuk ka konsensus. Ne e votuam kandidatin e LVV, por ata nuk e mbështeten kandidaten tonë", tha kreu i PDK-së, Bedri Hamza, pasi doli nga salla plenare.

Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh, nga data e certifikimit të rezultatit zgjedhor. Ky afat ka skaduar më 7 gusht, por LVV-ja më pas kishte argumentuar se afati vlen nga data e nisjes së seancës konstituive – pra nga 6 gushti. Por, edhe ky 30-ditësh, sipas interpretimit të LVV-së, tashmë ka kaluar.

LVV: Nuk japim votë për persona që duan ta çojnë vendin në zgjedhje

Pas ndërprerjes së seancës, Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje tha se partia e saj nuk ka vota për kandidatë për nënkryetarë të Kuvendit, që synojnë “ta dërgojnë vendin në zgjedhje”.

“LVV-ja do të votojë një kandidat të PDK-së dhe LDK-së për nënkryetar. Por, nuk mund të votojmë Vlora Çitaku dhe nuk vazhdojmë tutje në këtë situatë që të konstituojmë Kuvendin, s’mund të japim votë për dikë që synon të na dërgojë në zgjedhje. Pra, LVV e voton një deputet nga radhët e PDK-së, se cili është ai deputet, duhet që PDK të vazhdojë me propozime apo marrëveshje”, tha ajo.

Sipas Nagavcit, seanca do të vazhdojë sot dhe partia e saj është e gatshme ta votojë edhe Qeverinë dhe presidentin po sot.

“Jemi të gatshëm që sot të vazhdojmë me votimin e Qeverisë dhe presidentit dhe nuk mund të garantojmë që 53 votat tona të jepen dhe më pas vendi të çohet në zgjedhje”, tha Nagavci.

Ndërkaq, Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës sqaroi se as për kandidatin e partisë për nënkryetar, Kujtim Shala nuk ka përkrahje nga LVV-ja.

“Shkuam me votim individual, sepse s’kishte përkrahje nga LVV për propozimet tona”, tha Lushaku.

Ajo shtoi se partia është e hapur për dialog për themelimin e institucioneve.

“Ne do t’i përdorim të gjitha format e propozimit dhe votimit. Do të vendosin deputetët e Kuvendit. Të shohim se a do të ketë përkrahje”, tha ajo.

Diskutimet në Kuvend për mënyrën e votimit të nënkryetarëve

Menjëherë pasi nisi vazhdimi i seancës konstituive - që ka nisur më 6 gusht - Haxhiu ftoi për konsultim përfaqësuesit e partive politike. Më pas ajo njoftoi se s'kishte pajtim për votim në pako për nënkryetarët, ashtu siç ishin votuar herën e kaluar, pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025.

Nagavci argumentoi se pasi nuk ka pajtim, votimit të bëhet veç e veç.

Por, Përparim Gruda nga PDK u shpreh se nuk ka konsensus për ndryshimin e formës së votimit.

“Aktgjykimi [i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit të Kuvendit] thotë që duhet të respektohet praktika e deritanishme parlamentare. Herën e fundit ishte [votimi] në pako. Për t’u ndërruar praktika parlamentare, duhet konsensus. Konsensus nuk ka", tha ai, duke paralajmëruar se PDK-ja nuk do të votojë nëse ndërrohet forma e votimit "si mjet bllokade”.

Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës deklaroi nuk e konteston vullnetin e deputetëve për të përkrahur apo jo për propozimet, por duhet të hidhen në votim.

“Meqë nuk ka konsensus, ne jemi në përkrahje të votimit individual”, tha ajo.

Igor Simiq nga Lista Serbe tha se voton në cilëndo formë, por shtoi se “dikush po kërkon të bëhen lojëra”, duke argumentuar se mënyra e votimit të nënkryetarëve është bërë në atë mënyrë që të konstituohet organi ligjvënës.

“Ne jemi për t’u votuar individualisht apo në pako. Ne presim që kandidati ynë të marrë votat e nevojshme dhe të vazhdojmë me punën sepse kemi përgjegjësi para qytetarëve”, tha ai.

Më pas, Nagavci sërish mori fjalën dhe tha se PDK ishte pajtuar për çfarëdo forme të votimit të nënkryetarëve. Por, Gruda u përgjigj se nëse LVV garanton konstituimin e Kuvendit “ne pranojmë çdo formë votimi”.

Më pas, mënyra e zgjedhjes së nënkryetarëve u hodh në votim dhe me 71 vota për u vendos për votimin veç e veç.

Seanca konstituive e Kuvendit, 11 shtator:

Vazhdimi i seancës të së premtes vjen pasi të mërkurën Haxhiu u rizgjodh kryetare, por seanca u shty pikërisht për shkak të mospajtimeve mes partive politike nëse nënkryetarët duhet të votohen në pako apo ndaras.

Po ashtu, një tjetër arsye e shtyrjes së seancës nga Haxhiu ishte shprehja “në emër të popullit serb” e përdorur nga Igor Simiq i Listës Serbe kur ai propozoi një bashkëpartiak të tij për postin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Gjatë seancës të së mërkurës, Haxhiu i kërkoi atij të tërhiqte fjalën dhe të bënte sërish propozimin, duke e cilësuar si jokushtetues këtë shprehje.

Deputetë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – edhe më herët kishin përdorur shprehjen “në emër të popullit serb” gjatë deklarimeve në Kuvendin e Kosovës.

SHIKONI EDHE:

Pse është problematike për LVV-në shprehja “në emër të popullit serb”?

Haxhiu, por edhe Arbërie Nagavci nga LVV-ja thanë se nuk ka pajtim mes partive as për votimin e Vlora Çitakut të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kujtim Shalën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të propozuar për nënkryetarë të legjislaturës së njëmbëdhjetë të dalë nga zgjedhjet parlamentare të qershorit.

Nagavci tha pas seancës të së mërkurës se LDK-ja dhe PDK-ja po kërkojnë vota për nënkryetarët, por nuk po mbështesin propozimin e Bekim Sejdiut për postin e presidentit.

Video: Çfarë ndodhi në Kuvend më 9 shtator?

Your browser doesn’t support HTML5

Zgjedhja e nënkryetarëve, problemi i ri për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Bekim Sejdiu është propozuar për postin e presidentit nga LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe LDK-ja e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku. Por, gjashtë deputetë – nga 18 sa ka LDK-ja në këtë legjislaturë – kanë thënë se nuk kanë votë për të. Në mesin e tyre është edhe Kujtim Shala, i propozuar për nënkrytar Kuvendi.

PDK-ja dhe LDK-ja, por edhe Lista Serbe, pas seancës të së mërkurës e akuzuan LVV-në për zvarritje të procesit të krijimit të institucioneve të reja.

Aleanca, ndërkaq, nuk mori pjesë fare, duke argumentuar se janë tejkaluar afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhen edhe pesë nënkryetarët. Me konstituimin e Kuvendit, do të hapej rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës dhe zgjedhjen e presidentit.

LVV-ja, së bashku me partitë e komuniteteve joserbe kanë vota të mjaftueshme për të zgjedhur një ekzekutiv të ri.

Megjithatë, 53 votat e LVV-së, dhe 12 – ashtu siç ka deklaruar Abdixhiku – të LDK-së, si dhe ato të pakicave joserbe janë të pamjaftueshme për të zgjedhur një president të ri.

SHIKONI EDHE:

A mund të fajësohen gjashtë deputetë për dështimin e zgjedhjes së presidentit?Kurti: Marrëveshja për presidentin qëndron, me gjithë kundërshtimin e 6 deputetëve të LDK-së

Për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Nëse deputetët s’arrijnë të zgjedhin kreun e ri të shtetit, qytetarët do t’i drejtohen sërish kutive të votimit. Ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare dhe të dytat për shkak të moskonsensusit për presidentin, që nga shkurti i vitit 2025.