Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar një kërkesë me nënshkrime të deputetëve në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke kërkuar anulimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset.
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se ZRRE-së iu kërkua të anulojë dy vendime: atë që i obligon bizneset të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike, si dhe vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike prej 16.1 për qind.
Bajrami tha se gjatë takimit me udhëheqësit e ZRRE-së nuk morën përgjigje pozitive për “shqyrtimin dhe trajtimin e kërkesës”.
“Sipas tyre [ZRRE-së], një vendim të tillë mund ta shtyjë vetëm qeveria – në këtë rast, kushdo që është duke ushtruar detyrën e qeverisë dhe ministrave, sepse bëhet fjalë për rreth 50 milionë euro diferencë në çmim, e cila duhet të vijë si subvencionim nga buxheti i shtetit. Ndryshe, këta [ZRRE-ja] detyrohen që vendimin ta lënë në fuqi”, deklaroi Bajrami.
SHIKONI EDHE: OEK kërkon pezullim të vendimit që shtrenjton energjinë elektrike për biznesetNga rritja e çmimit të energjisë, sipas Bajramit, nuk po sfidohen vetëm qytetarët, por edhe shumë biznese.
Në veçanti, sipas saj, të sfiduara nga vendimet e ZRRE-së janë mbi 1.300 biznese kosovare, të cilat janë të obliguara të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike nga fillimi i qershorit.
Këto biznese, sipas Bajramit, po përballen me oferta shumë më të shtrenjta sesa kanë paguar deri më tani.
Your browser doesn’t support HTML5
Liberalizimi i tregut të energjisë në Kosovë: Çfarë do të thotë për bizneset?
Pas deklarimeve të zyrtarëve të LDK-së, ka reaguar ZRRE-ja.
ZRRE-ja ka thënë se deklarimet se vetëm “qeveria mund ta shtyjë vendimin për shtrenjtimin e rrymës”, janë të pasakta.
“Vendimet për tarifat janë kompetencë ekskluzive e ZRRE-së, dhe asnjë institucion tjetër nuk ka mandat ligjor për të anuluar apo shtyrë vendimet e ZRRE”, thuhet në reagimin e ZRRE-së.
Ndërsa sa i përket tregut të hapur të energjisë, ZRRE ka thënë se kjo është shtyrë disa herë, por tash janë plotësuar kushtet e nevojshme për të kaluar në të.
Ditë më parë, ZRRE-ja vendosi të rrisë çmimin e energjisë elektrike për qytetarët për 16.1 për qind.
Kjo rritje i prek edhe bizneset që kanë më pak se pesëdhjetë punëtorë.
Ato biznese që kanë më shumë se 50 punëtorë apo mbi 10 milionë euro qarkullim, nga 1 qershori, sipas vendimit të ZRRE-së, janë të obliguara të dalin në treg të lirë për të siguruar energjinë elektrike.
Përfaqësuesit e bizneseve kanë paralajmëruar për çmime të papërballueshme.