Radoiçiq, Vesellinoviq dhe serbë të lidhur me ta sanksionohen nga SHBA-ja

Millan Radoiçiq - nënkryetar i partisë kryesore serbe në Kosovë - Lista Serbe.

Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq - të gjithë serbë nga Kosova - janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, në kuadër të këtij departamenti, publikoi të mërkurën një listë të individëve dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”.

Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Grupi i tij është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë, thuhet në komunikatë.

Sipas saj, grupi gjithashtu ka bërë komplot me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të tyre të kontrabandës midis Serbisë dhe Kosovës në fillim të vitit 2019 dhe dhënien e ryshfetit zyrtarëve kufitarë të Kosovës për t’iu lejuar kontrabandistëve kalim të sigurt në fund të vitit 2017.

SHIKONI EDHE: Millan Radoiçiq i lirë në veri të Kosovës 

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se “këto sanksione shënjestrojnë autorët e korrupsionit, në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 13818”, i cili bazohet në Aktin Global të Përgjegjshmërisë për të Drejtat e Njeriut, i njohur si Akti Magnitsky.

“Krimi i organizuar transnacional është destabilizues. Këto grupe shpesh bashkëpunojnë me zyrtarë publikë për të mbrojtur veten nga ndjekja penale dhe përgjegjësia”.

“Organizatat kriminale transnacionale operojnë edhe përtej kufijve, duke minuar sistemin financiar ndërkombëtar dhe duke komplikuar përpjekjet e zbatimit të ligjit për prishjen dhe çmontimin e krimit transnacional në nivel global”, tha Blinken, duke komentuar sanksionet e Departamentit amerikan të Thesarit kundër, siç tha, “aktorëve të korruptuar”, të lidhur me organizata kriminale transnacionale Kosovë dhe Serbi.

Në një reagim të Ambasadës amerikane në Prishtinë thuhet se sanksionet nga Akti Magnitsky “demonstrojnë angazhimin e SHBA-së për të luftuar korrupsionin” dhe “për të thyer lidhjet midis krimit të organizuar dhe aktorëve të korrupsionit”, të cilët “kërcënojnë sundimin e ligjit dhe dobësojnë qëndrueshmërinë demokratike”.

SHIKONI EDHE: Kosova dhe Serbia si ‘vende të sigurta’ për njerëzit që ndiqen penalisht 

Kush janë serbët e Kosovës të përfshirë në listë?

Vëllezërit Vesellinoviq akuzohen po ashtu se kanë bërë marrëveshje me politikanët për t’i ndihmuar partitë e tyre që t’i fitojnë zgjedhjet dhe se u kanë dhënë para kandidatëve.

Në këmbim, politikanët u kanë dhënë atyre kontratat më të mira të infrastrukturës, informacione mbi pronësinë për t’i mbështetur investimet e tyre dhe kontroll mbi fusha të caktuara të biznesit të tyre, njoftoi Departamenti i Thesarit.

SHIKONI EDHE: Vuçiq: Do të hetohet nëse ka akuza serioze ndaj Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit

Sipas tij, në listën e sanksioneve, i lidhur me Zvonko Vesellinoviqin është edhe Millan Radoiçiq, nënkryetar i partisë kryesore serbe në Kosovë - Lista Serbe.

Radoiçiq ka lidhje me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Në listë është edhe Zhelko Bojiq, ish-shef i Operacioneve të Policisë së Kosovës për Veriun, i cili gjithashtu është i lidhur me vrasjen e Ivanoviqit dhe kërkohet nga institucionet e Kosovës.

SHIKONI EDHE: Në Prishtinë vazhdoi gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit 

Marko Roshiq, i akuzuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, është po ashtu në listë.

Në mesin e tyre është edhe Radulle Steviq, sipërmarrës serb nga veriu, i njohur për fitimin e shumë tenderëve të institucioneve të Kosovës për projekte të ndryshme infrastrukturore në veri të Kosovës.

SHIKONI EDHE: Radulle Steviq dhe tenderët e tij nga institucionet e Kosovës

Lista përfshin edhe kompani të shumta nga Serbia dhe Kosova, të cilat janë të lidhura me disa nga të përmendurit më lart.

Në mesin e tyre janë shumë kompani që janë të lidhura me Zvonko Vesellinoviqin, si: “Dolly Bell” nga Beogradi, kompania për shitjen e automjeteve “Civija Komerc” nga Shabaci, kompania ndërtimore 'INCOP' nga Quprija, kompania e betonit “Aleksinac”, dyqani i pavarur “Prizma” nga Mitrovica e të tjera.

Në listë është edhe kompania “Doo Rad” e Radulle Steviqit në Zveçan, si dhe disa kompani të Millan Radosavleviqit dhe Sinisha Nedelkoviqit.

Lista e sanksioneve, e publikuar të mërkurën, përfshin edhe disa persona të lidhur me organizatat kriminale në El Salvador.

Blinken tha se SHBA-ja do të vazhdojë t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të thyer lidhjet midis aktivitetit kriminal dhe korrupsionit.

Sipas ueb-faqes së Departamentit amerikan të Thesarit, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja menaxhon dhe zbaton sanksionet ekonomike dhe tregtare, bazuar në politikën e jashtme të SHBA-së dhe sigurinë kombëtare.

Sanksionet aplikohen kundër vendeve dhe regjimeve të huaja që janë në shënjestër, terroristëve, trafikantëve ndërkombëtarë të drogës dhe atyre që përfshihen në aktivitete që lidhen me përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe me kërcënime të tjera për sigurinë kombëtare, politikën e jashtme ose ekonominë e Shteteve të Bashkuara.