Grupet kyç të Bashkimit Evropian për naftë dhe gaz do të takohen këtë javë, teksa shtetet përreth bllokut po ngarendin që të përballen me ndikimin e luftës së Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin sa u përket çmimeve të energjisë dhe furnizimeve.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anna-Kaisa Itkonen, gjatë një konference për media më 7 prill tha se grupi koordinues për naftën do të takohet më 8 prill, ndërkaq grupi për gaz do të mblidhet një ditë më pas.
BE-ja po përballet me masa për kursimin e energjisë, sikurse reduktimi i udhëtimeve ajrore, kufizime të shpejtësisë në autostrada dhe udhëzime për punë nga shtëpia, pasi lufta rezultoi me bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, korridorit prej nga kalon transit rreth 20 për qind e naftës dhe gazit në botë.
SHIKONI EDHE:
Trump thotë se e do naftën e Iranit, insiston që bisedimet për paqe po shkojnë mirëMuajin e kaluar, ministrat e Energjisë të bllokut mbajtën një takim urgjent, dhe megjithëse nuk u pajtuan lidhur me masa konkrete, komisionari evropian për Energjinë, Dan Jorgensen, premtoi se Brukseli së shpejti do të shpallte një paketë masash në nivel të bllokut.
Sipas zyrtarëve të BE-së, që kanë njohuri për këtë çështje dhe të cilët biseduan me Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, këto masa mund të përfshijnë rregulla më fleksibile për ndihmën shtetërore për kompanitë e energjisë si dhe një shtysë për më shumë energji të ripërtërishme dhe energji bërthamore.
Në masa mund të përfshihen edhe më shumë lëvizje më dramatike të emergjencës – ngjashëm sikurse kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në fillim të vitit 2022 – sikurse vendosja e një çmimi tavan në mbarë BE-në për gazin dhe taksa për fitime të mëdha ndaj kompanive të energjisë.
Blloku me 27 shtete veçse po përgatitet për një goditje të madhe ekonomike nëse lufta zgjatet. Kancelari gjerman, Friedrich Merz, u tha gazetarëve javën e kaluar se barra ndaj ekonomisë së BE-së mund të jetë po aq e rëndë sa gjatë pandemisë COVID-19 ose sikurse gjatë muajve të parë të luftës në Ukrainë.
Para takimit të ministrave të energjisë, Jorgensen u dërgoi një letër shteteve anëtare, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, në të cilën theksoi se “teksa ekspozimi i drejtpërdrejtë i BE-së para konfliktit ndaj furnizimit nga rajoni është i kufizuar, ne varemi nga tregjet globale për furnizimin me lëndë djegëse fosile, në konkurrencë të drejtpërdrejtë me konsumatorë të tjerë”.
SHIKONI EDHE:
Nafta, lufta dhe Ngushtica e Hormuzit: A mund t’i mbrojë Uashingtoni tregjet globale të energjisë nga Irani?Çka është Ngushtica e Hormuzit?Shtetet, përfshirë Italinë, Austrinë, Hungarinë, Republikën Çeke, Kroacinë dhe Francën veçse kanë miratuar disa masa për të lehtësuar ndikimin, pas rritjes së madhe të çmimeve dhe bllokimit të furnizimeve si pasojë e luftës në Iran.
Përderisa Evropa viteve të fundit është diversifikuar, me shumicën e importeve që tani vijnë nga Algjeria, Arzerbajxhani, Norvegjia dhe Shtetet e Bashkuara, rritja e kërkesës globale për shkak të pakësimit të furnizimeve, nënkupton se çmimet në pompat e benzinës janë rritur edhe në BE.
Por, BE-ja është më e varur nga të ashtuquajturat produkte të rafinuara të naftës, që do të thotë materiale që burojnë nga përpunimi i naftës së papërpunuar, sikurse dizeli, asfalti dhe veçmas kerozina, që është thelbësor për motorët e aeroplanëve modernë, me rreth 40 për qind të furnizimeve që vijnë nga Gjiri Persik.
Në letrën e Jorgensenit u tha se mungesa e këtyre produkteve “është shqetësim i veçantë në terma afatshkurtër” dhe sugjeroi që “shtetet anëtare ftohen të shqyrtojnë promovimin e masave për kursim të kërkesës, në përputhje me planet emergjente, me vëmendje të veçantë veçmas ndaj sektorit të transportit”.
Disa kompani ajrore tashmë kanë sinjalizuar se mund të reduktojnë numrin e fluturimeve në disa linja. Dërgesat e fundit të kerozinës që kaluan përmes Ngushticës së Hormuzit para mbylljes së saj pritet të mbërrijnë në Evropë javën e ardhshme.
Letra i referohet edhe rekomandimit të fundit me 10 pika të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, që përfshin masa për uljen e konsumit të energjisë, si puna nga shtëpia, reduktimi i udhëtimeve ajrore, reduktimi i përdorimit të makinave dhe përdorimi alternativ i makinave private në rrugë, ulja e kufirit të shpejtësisë me 10 kilometra në orë dhe dekurajimi i përdorimit të gazit të lëngshëm natyror për gatim.
Gjithashtu, letra u bën thirrje shteteve anëtare të shtyjnë çdo mirëmbajtje joemergjente të rafinerive dhe të rrisin përdorimin e biokarburanteve për të zëvendësuar lëndët djegëse fosile.