SHBA ofron shpërblim për informacione për grupin DarkSide

Fotografi ilustruese: Një laptop me flamurin rus në ekran.

Shtetet e Bashkuara thanë se ofrojnë 10 milionë dollarë shpërblim për informacione që çojnë në identifikimin ose vendndodhjen e çdo individi që ka pozicion “udhëheqës kyç” në DarkSide - një grup i krimit kibernetik që besohet se është i lidhur me Rusinë.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se ofron edhe një shpërblim deri në 5 milionë dollarë për informacione që çojnë në arrestimin ose dënimin e ndonjë individi që “ka bërë komplot për të marrë pjesë ose ka tentuar të marrë pjesë” në një sulm kibernetik të grupit DarkSide, muaj më parë, në SHBA.

Sipas FBI-së, DarkSide ka kryer sulmin më të madh kibernetik kundër infrastrukturës kritike të SHBA-së, në muajin maj.

Grupi është shpërbërë pasi sulmi i tij në operatorin më të madh të tubacionit të karburanteve në SHBA, Colonial Pipeline, ka ndërprerë atëbotë furnizimet për gjashtë ditë në Bregun Lindor të SHBA-së.

Zyrtarët e Colonial Pipeline thuhet se u kanë paguar hakerëve një shpërblim prej më shumë se 4 milionë dollarësh.

Në atë kohë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se zyrtarët amerikanë nuk besojnë se Qeveria ruse është e përfshirë në sulm, por ka shtuar se ka “arsye të forta për të besuar se kriminelët që kanë kryer sulmin, jetojnë në Rusi”.

SHIKONI EDHE:

Kompanitë teknologjike premtojnë miliarda për sigurinë kibernetike

Agjencitë qeveritare dhe kompanitë private në SHBA janë goditur këtë vit nga disa sulme të mëdha kibernetike.

Më 2 korrik, qindra kompani amerikane janë prekur nga një sulm që është kryer kundër kompanisë së teknologjisë Kaseya, me seli në Floridë.