Kuvendi konstituohet pa nënkryetarin e PDK-së, votohet një kandidate e Listës Serbe

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë seancës konstituive të mbajtur më 9 gusht.

Pavarësisht mospjesëmarrjes së Partisë Demokratike të Kosovës në seancë dhe tërheqjes së kandidaturës së Vlora Çitakut për postin e nënkryetares, procesi i konstituimit të Kuvendit u mbyll sot me zgjedhjen e të gjithë kandidatëve të tjerë.

Kryesuesja e seancës, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik” dhe se procesi do të vazhdojë me propozimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kandidati i LDK-së për nënkryetar, Kujtim Shala, u zgjodh me 75 vota për.

Ndërsa, pas tetë kandidaturave të dështuara nga Lista Serbe, Kuvendi arriti ta zgjedhë edhe deputeteten serbe Tanja Vujoviqit, që mori edhe votat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa nga LDK-ja.

Nga minoritetet joserbe u zgjodh deputetja boshnjake Emilija Rexhepi.

"Konsideroj që Kuvendi i Republikës së Kosovës konsiderohet i konstituuar", tha Haxhiu, para se ta mbyllte seancën.

Në një vendim të mëhershëm, Gjykata Kushtetuese kishte lënë të hapur mundësinë që Kuvendi, në rrethana të caktuara, të funksionojë edhe pa një nga anëtarët e Kryesisë, nëse zgjedhja e tij pamundësohet dhe Kryesia ka kuorum për vendimmarrje.

Si një rrethanë e tillë ishte përmendur rasti kur një deputet ose grup parlamentar që ka të drejtë të propozojë anëtar të kryesisë nuk e ushtron këtë të drejtë ose e pengon procesin.

Ndërkohë, PDK-ja kishte njoftuar paraprakisht se nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese për situatën e krijuar rreth konstituimit të legjislaturës. Ajo tha se ekspertët e partisë janë duke përgatitur lëndën që do t’i drejtohet kësaj gjykate për procesin e konstituimit.

Vendimi erdhi pasi Lëvizja Vetëvendosje ndryshoi qëndrimin dhe tha se do t’i mbështesë kandidatët e PDK-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për nënkryetarë të Kuvendit.

SHIKONI EDHE:

LVV-ja ndryshon qëndrim, pajtohet t’i votojë Çitakun dhe Shalën për nënkryetarë të Kuvendit

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin të vetmit nga ish-opozita që morën pjesë në këtë seancë, pasi që Aleanca qysh më herët kishte vendosur të mos merrte pjesë.

Ndërkohë, teksa hynin në Kuvend për seancën e sotshme, deputetë të LVV-së insistuan se qëndrimin e kanë ndryshuar vetëm që të zhbllokohet procesi i konstituimit, që të shmangen zgjedhje të katërta parlamentare brenda dy vjetëve.

Por, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, dhe një deputet i LDK-së, Ermal Sadiku, e kanë interpretuar këtë vendim si pjesë të një skenari që, sipas tyre, çon drejt zgjedhjeve të reja më 27 dhjetor.

Tani që Kuvendi është konsituuar, afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar. Nëse deputetët nuk do të arrijnë ta zgjedhin një president të ri, atëherë duhet të shpallen zgjedhjet brenda 45 ditëve.

“60 ditë plus 45 ditë na çojnë pikërisht te 27 dhjetori. Pra, krejt ky bllokim, krejt këto lojëra me Kuvendin, krejt kjo zvarritje veç për të mbërritur te data që e kanë planifikuar”, ka shkruar Sadiku.

Megjithatë, nuk dihet nëse Gjykata Kushtetuese mund ta shpall procesin si të pavlefshëm si përgjigje ndaj kërkesës që pritet të parashtrohet nga PDK-ja.

Zgjedhjet më 27 dhjetor do të binin në periudhën e festave të fundvitit, kur një pjesë e madhe e diasporës së Kosovës kthehet në vend.

Kjo e bën datën politikisht të rëndësishme, veçanërisht për LVV-në, e cila në zgjedhjet e fundit ka marrë një përqindje më të lartë të mbështetjes nga votuesit jashtë Kosovës sesa në mesin e votuesve rezidentë.

Në zgjedhjet e qershorit 2026, LVV-ja kishte fituar rreth 73 për qind të votave me postë, 83 për qind të votave në përfaqësi diplomatike. Ndërsa, nga votat e qytetarëve rezident kishte marrë rreth 43 për qind.

SHIKONI EDHE:

Haxhiu e shtyn për të dielën seancën konstituive mes mosmarrëveshjeve për nënkryetarët

Këto zhvillime i hapin rrugë fundit të një bllokade politike që nisi pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 7 qershor.

LVV-ja doli e para duke fituar 53 ulëse. Ajo thotë se ka mbështetjen e nëntë deputetëve nga minoritetet - tetë nga pakicat jo serbe, me përjashtim të Adem Hoxhës nga Partia Unike Gorane dhe Duda Bales nga Bashkimi Socialdemokrat, dhe Nenad Rashiqin, si i vetmi deputet i pakicës serbe që s'është pjesë e Listës Serbe.

Kështu ajo ka 62 vota, një më shumë se që i nevojitet për ta formuar qeverinë. Megjithatë, këto vota nuk janë të mjaftueshme për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit.

SHIKONI EDHE:

Marrëveshja për presidentin: Konsensus me shumë pikëpyetje

Për zgjedhjen e presidentit në dy rundet e para nevojiten 80 vota, çka kërkon edhe mbështetjen e deputetëve të partive të tjera.

Për javë të tëra, përplasja kryesore ishte rreth konstituimit të Kuvendit, pasi që LVV-ja insistonte se nuk duhet të konstituohet Kuvendi para se të arrihej një marrëveshje për postin e presidentit.

Më 31 gusht, negociatat mes LVV-së dhe LDK-së përfunduan me zyrtarimin se dy partitë do ta mbështesin kandidaturën e përbashkët të Bekim Sejdiut për president.

Kjo kandidaturë ka nxitur përplasje të thella brenda LDK-së, pasi gjashtë nga 18 deputetët e partisë kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin.

SHIKONI EDHE:

Gjashtë “jo” që testojnë të ardhmen e LDK-së