Macron kërkon përparim të Kosovës drejt BE-së dhe normalizim me Serbinë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, 17 tetor 2026.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, shfaqi shpresën se zgjedhja e presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka Pula, do t’i japë shtysë përparimit të vendit drejt Bashkimit Evropian, ndërsa ritheksoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Në një letër urimi drejtuar Shiroka Pulës me rastin e marrjes së detyrës, Macron vuri në pah partneritetin ndërmjet Francës dhe Kosovës, si dhe mbështetjen e Parisit për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas njoftimit të Presidencës së Kosovës, presidenti francez shfaqi shpresën se zgjedhja e Shiroka Pulës do të mundësojë rifillimin e përparimit në fushat që kontribuojnë në perspektivën evropiane të Kosovës.

Mesazhi i Macronit vjen në një kohë kur Kosova përballet me ngecje në procesin e integrimit evropian, ndërsa marrëveshjet e arritura me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve vazhdojnë të mbeten kryesisht të pazbatuara.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj ende nuk është shqyrtuar nga vendet anëtare dhe vendi vazhdon të ketë statusin e kandidatit potencial.

Pesë shtete të BE-së - Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja - nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, gjë që përbën një pengesë shtesë politike për avancimin e saj në procesin e integrimit.

SHIKONI EDHE:

Raporti i BE-së: Kosova ngec në reformat kyç për integrim

Franca, e cila e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, mbështet perspektivën e saj evropiane, por këmbëngul që përparimi në këtë drejtim të shoqërohet me reforma dhe zbatimin e detyrimeve nga dialogu me Serbinë.

Në raportin e vitit 2026, të publikuar më 4 nëntor, Komisioni Evropian konstatoi se kriza politike dhe bllokada institucionale e kanë ngadalësuar zbatimin e reformave në Kosovë.

Kosova, megjithatë, ka tashmë institucione të reja. Shiroka Pula u zgjodh presidente më 7 tetor, ndërsa Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nisi mandatin e ri katërvjeçar në shtator.

Normalizimi me Serbinë, kërkesë e vazhdueshme e Francës

Në letrën drejtuar Shiroka Pulës, Macron riafirmoi mbështetjen e Francës për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, duke e vendosur normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë ndër çështjet kryesore për të ardhmen evropiane të Kosovës.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit në Bruksel, në shkurt të vitit 2023, ndërsa një muaj më vonë u pajtuan në Ohër për aneksin e zbatimit të saj.

Marrëveshja, ndër të tjera, parasheh që palët të zhvillojnë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, t’i njohin dokumentet dhe simbolet përkatëse dhe që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

SHIKONI EDHE:

Merz: Ngecja e dialogut Kosovë-Serbi, pengesë për përparimin e gjithë rajonit

Ajo përfshin edhe detyrimin e Kosovës për të siguruar një nivel të përshtatshëm vetëmenaxhimi për komunitetin serb.

Megjithatë, zbatimi i marrëveshjes ka ngecur, ndërsa Kosova dhe Serbia vazhdojnë ta fajësojnë njëra-tjetrën për mosrespektimin e detyrimeve.

Bashkimi Evropian ka theksuar vazhdimisht se zbatimi i marrëveshjeve të dialogut është pjesë e pandashme e rrugës evropiane të të dyja vendeve.

Edhe Franca ka mbajtur një qëndrim të tillë.

Gjatë vizitës në Kosovë në korrik, ministri francez i deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, e lidhi përparimin e Kosovës drejt BE-së me përmbushjen e detyrimeve nga marrëveshjet e dialogut.

Bashkëpunimi Kosovë-Francë

Përveç çështjeve politike, Macron rikujtoi në letrën e tij edhe zhvillimet e fundit në marrëdhëniet dypalëshe.

Ai iu referua takimit me kryeministrin Albin Kurti në Paris, në mars të këtij viti.

Gjatë takimit në Pallatin Elize, Kurti dhe Macron diskutuan për integrimin evropian të Kosovës, sigurinë rajonale dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Ky bashkëpunim u konkretizua në korrik, kur vizita e ministrit francez për Evropën, Benjamin Haddad, në Prishtinë, u shoqërua me nënshkrimin e katër marrëveshjeve dhe një deklarate synimi në fushat e drejtësisë, arsimit dhe sportit.

SHIKONI EDHE:

Franca dhe Gjermania propozojnë integrim gradual të Ballkanit Perëndimor në BE

Dy prej marrëveshjeve kanë të bëjnë me ekstradimin dhe ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale, me synimin për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të drejtësisë.

Një tjetër marrëveshje parasheh një kredi prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim, për investime infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Palët nënshkruan gjithashtu një deklaratë synimi për organizimin e këtyre lojërave dhe një marrëveshje për zgjerimin e mësimit të gjuhës frënge në Kosovë.

Marrëveshjet e korrikut u diskutuan edhe më 22 tetor, kur Kurti dhe Haddad u takuan në margjinat e samitit të Procesit të Berlinit në Mal të Zi.