Macron dhe Sunak takohen në Paris për Samitin franko-britanik

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Rishi Sunak.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Rishi Sunak takohen të premten në Paris në një Samit që synon riparimin e raporteve mes tensioneve të shkaktuara pas largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian (Brexit).

Gjatë Samitit, dy vendet pritet të diskutojnë përmirësimin e bashkëpunimit ushtarak dhe ekonomik, si dhe të shtojnë përpjekjet për të ndaluar kalimet e paligjshme të emigrantëve përmes Kanalit nga Franca në Angli.

Samiti franko-britanik, i pari i llojit të tij që nga vitit 2018, pritet të dëshmojë hapjen e një “kapitulli të ri” në raportet midis dy vendeve, tha zyra e presidentit Macron. Samite të tilla janë mbajtur çdo vit në të kaluarën.

SHIKONI EDHE: “Kapitull i ri” në raportet mes Britanisë dhe BE-së

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia afroi Britaninë dhe fqinjët e saj evropianë, në mbështetje të Kievit, dhe marrëdhëniet u përmirësuan edhe më shumë pas marrjes së detyrës së kryeministrit nga Sunak në tetor, pas mandatit të shkurtër dhe ekonomikisht destabilizues të Liz Truss.

Vizita e Sunak vjen dy javë përpara se mbreti Charles III të udhëtojë në Francë dhe më pas në Gjermani për vizitat e tij të para shtetërore si monark, në përpjekjet e mëtejshme britanike për të ndërtuar ura me fqinjët evropianë.

“Samiti do të jetë mbi të gjitha një mundësi për të riafirmuar dhe thelluar bashkëpunimin e ngushtë në drejtim të mbështetjes ushtarake për Ukrainën”, thuhet në deklaratën nga zyra e Macron, pasi të dyja vendet janë të vetmet fuqi bërthamore në rajon.

SHIKONI EDHE: Britania dhe BE-ja zhvillojnë bisedimet finale për marrëvshjen pas Brexitit

Një delegacion prej shtatë ministrash të lartë nga dyja vendet do të marrë pjesë në Samit, duke përfshirë ata përgjegjës për punët e jashtme, mbrojtjen dhe çështjet e brendshme.

Muajin e kaluar, Mbretëria e Bashkuar dhe BE njoftuan një përparim në bisedimet për të zgjidhur mosmarrëveshjen mbi marrëveshjet tregtare pas Brexit-it për Irlandën e Veriut.

Britania e ka mirëpritur gjithashtu propozimin e Macron për krijimin e një Komuniteti Politik Evropian, një forum i ri që synon rritjen e sigurisë dhe prosperitetit në të gjithë kontinentin.

SHIKONI EDHE: Ideja e Macronit që mund të lërë Ballkanin Perëndimor jashtë BE-së

I nisur në tetor, ky propozim bashkon anëtarët ekzistues të BE-së, shtetet e Ballkanit që janë aspiruese të jenë pjesë e bllokut, Evropën Lindore, si dhe Britaninë e Turqinë.