Irani dhe SHBA-ja me deklarata të ndryshme sa i përket rihapjes së Hormuzit

Seketari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë vizitës në Indi.

Zyrtarët iranianë kanë hedhur poshtë pretendimet se rihapja e Ngushticës së Hormuzit është pjesë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës tremujore, teksa presidenti amerikan, Donald Trump, tha se pakti është “gjerësisht i negociuar”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se “lajme të mira” sa i përket situatës në Iran mund të vijnë më vonë gjatë ditës. Ruboi, që gjendet në udhëtimin e tij të parë në Indi, tha se është bërë “përparim i madh” në negociatat SHBA-Iran, edhe pse jo “përparim përfundimtar”.

Këto këmbime deklaratash vijnë një ditë pasi Trump tha se aspektet kyç të marrëveshjes kornizë janë afër finalizimit.

Në të kaluarën, Trump ka sugjeruar se marrëveshja ishte afër, por më vonë ka refuzuar propozimet iraniane dhe ka kërcënuar për sulme të reja.

"Negociatat po vazhdojnë në mënyrë konstruktive dhe unë kam informuar përfaqësuesit e mi që të nguten të hyjnë në një marrëveshje pasi koha është në anën tonë", shkroi Trump në rrjetet sociale më 24 maj.

Një marrëveshje armëpushimi është në fuqi që nga prilli, ndonëse Irani ka kryer sulme në shkallë të vogël ndaj disa shteteve të Gjirit Persik.

Teherani ka bllokuar trafikun detar përmes Ngushticës së Hormuzit, duke bërë që çmimet e energjisë në mbarë botën të rriten dhe duke tronditur ekonominë globale.

Duke folur për gazetarë në Indi, Rubio tha se mund të ketë lajme të mira, sa i përket Hormuzit.

SHIKONI EDHE:

“Disa sinjale të mira”, por ende ka dallime në negociatat mes SHBA-së dhe Iranit

Sekretari i Shtetit përsëriti qëndrimin se Ngushtica e Hormuzit është një rrugë ujore ndërkombëtare dhe Irani nuk e ka në pronësi.

“Ajo që [iranianët] po bëjnë tani është shkatërrimi i anijeve komerciale që përdorin një rrugë ujore ndërkombëtare”, tha Rubio. “Nëse ne lejojmë që kjo të bëhet normale, ne do të normalizonim një status quo të papranueshme dhe do të vendosnim një precedent të rrezikshëm që mund të përsëritej këtu në këtë rajon dhe në shumë vende të tjera të botës”.

Preferenca e presidentit Trump, tha Rubio, është “të gjendet një zgjidhje diplomatike” për këto çështje, e cila do të kërkonte “pranim dhe pajtueshmëri të plotë nga Irani”.

Ai shtoi se një marrëveshje e mundshme do të niste po ashtu një proces që “në fund mund të na çojë aty ku presidenti dëshiron të jemi, dhe kjo është një botë që nuk duhet të jetojë më me frikë apo shqetësim për një armë bërthamore iraniane.”

Komentet e Rubios erdhën pasi Trump tha se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës po negociohet, e cila përfshin edhe rihapjen e Hormuzit.

SHIKONI EDHE:

Trump thotë se marrëveshja e paqes me Iranin është “gjerësisht e negociuar”

Por Teherani mohoi këtë pretendim. Ebrahim Zolfaghari, zëdhënës i komandës ushtarake të Iranit, tha se pretendimi i presidentit amerikan se Ngushtica e Hormuzit do të hapet është “i pavërtetë”.

“Hormuzi do të mbetet plotësisht nën kontrollin iranian. Ne vendosim kush kalon, kur dhe si”, shkroi ai në X.

Agjencia iraniane e lajmeve Fars, që është e afërt me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), tha po ashtu se ngushtica do të mbetet nën administrimin e Teheranit dhe se njoftimi për rihapjen e saj si pjesë e marrëveshjes ishte “i paplotë dhe nuk përputhet me realitetin”.

Ngushtica e Hormuzit është një korridor jetik transiti për naftën, gazin e lëngshëm natyror dhe transportin tregtar detar, ndërsa ndërprerja e qarkullimit ka tronditur tregjet globale të energjisë dhe ka shtuar presionin mbi vendet që varen nga rrugët tregtare të Gjirit.