Rubio siguron Zelenskyn për angazhimin e SHBA-së, por paralajmëron për lëshime “të vështira”

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe presidenti ukrianas, Volodymyr Zelnsky, gjatë takimit në Munih.

Në ditën e tij të dytë në Konferencën e Sigurisë në Munih, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u përpoq të ulte shqetësimet dhe të përcaktonte fokusin: Ukraina dhe siguria, sinjalizoi ai, mbeten qendra e gravitetit të politikës transatlantike të Uashingtonit.

Edhe pse gjatë fjalimit në konferencë shmangu përmendjen e drejtpërdrejtë të Ukrainës, kjo rezultoi të jetë jetëshkurtër. Sapo nisi sesioni i pyetje, lufta, por edhe roli i Shteteve të Bashkuara në ndërmjetësimin e përfundimit të saj, kaluan në plan të parë.

Ky fokus u vu në pah në një intervistë për Bloomberg TV, menjëherë pas fjalimit të tij, ku Marco Rubio dha vlerësimin e tij më të qartë deri më tani për mënyrën se si konflikti mund të shkojë drejt përfundimit.

Ai deklaroi se nuk pret që lufta të përfundojë me atë që shumë do ta konsideronin një “humbje tradicionale” për njërën palë, duke argumentuar se Rusia ka pak gjasa të arrijë objektivat e saj fillestare të luftës.

Në vend të kësaj, sugjeroi ai, ambiciet e Moskës janë ngushtuar në konsolidimin e rreth 20 për qind të rajonit të Donjeckut që ende nuk e kontrollon, një synim që, sipas tij, do të kërkonte lëshime “të vështira” nga Kievi, si në aspektin taktik ashtu edhe në atë politik.

Gjetja e një formule të pranueshme për Ukrainën dhe për Rusinë, tha ai, mbetet sfida kryesore. “Mund të mos funksionojë”, paralajmëroi kryediplomati Rubio, megjithëse theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ushtrojnë presion për arritjen e një marrëveshjeje.

SHIKONI EDHE: Fjalimi i Rubios në Munih: Qetësim për aleatët dhe thirrje për ndryshim

Ai vuri në dukje shenja të përparimit në javët e fundit dhe theksoi se negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të rifillojnë bisedimet në ditët në vijim.

Që nga ai moment, dita vazhdoi me takime të nivelit të lartë.

Rubio u takua fillimisht me homologët e tij të G7, përfshirë ministrin e Jashtëm të Ukraina. Diskutimi ishte i gjerë, duke nisur nga konfliktet që po destabilizojnë Afrikën dhe Lindjen e Mesme, te presionet në rritje të sigurisë në Indo-Paqësor dhe Hemisferën Perëndimore.

Megjithatë, Ukraina mbeti tema e pashmangshme. Rubio “përsëriti angazhimin e SHBA-së për promovimin e stabilitetit në Venezuelë dhe për përfundimin e luftës Rusi-Ukrainlë, përmes negocimit”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tommy Pigott, ndërsa ministrat u zotuan për koordinim më të ngushtë të G7 kundër një sërë kërcënimesh globale.

Në margjinat e konferencës, Rubio u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Takimi zgjati rreth 40 minuta. Përmes një deklarate të publikuar në Telegram, Zelensky tha se e informoi Rubion për “situatën në vijat e frontit, sulmet e vazhdueshme ruse dhe pasojat e sulmeve ndaj sistemit të energjisë”.

SHIKONI EDHE: Zelensky i bën thirrje Trumpit për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore

Të dy gjithashtu biseduan në detaje rrugën diplomatike, përfshirë bisedimet trepalëshe të planifikuara për javën e ardhshme në Gjenevë.

“Është e rëndësishme që negociatat e planifikuara në Gjenevë të jenë produktive dhe e falënderoj Shtetet e Bashkuara për qasjen e tyre konstruktive”, tha Zelensky.

Zelensky po ashtu bisedoi me të dërguarit e Trumpit, Witkoff dhe Kushner para rundit të ri të bisedimeve. Ata folën për zhvillimet që nga rundi paraprak i mbajtur në Abu Dabi.

Ai po ashtu i informoi për bisedën me Rubion dhe u shpreh falënderues për mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës.