Shefi i NATO-s thotë se po punon për zgjidhjen e çështjes së Grenlandës

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një paneli në Davos më 21 janar 2026.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi më 21 janar se mënyra e vetme për zgjidhjen e krizës rreth Grenlandës është “diplomacia e matur”, duke shtuar se po punon “në prapaskenë” për këtë çështje.

Kreu i aleancës ushtarake perëndimore, i cili po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, refuzoi të komentojë lidhur me synimet e presidentit amerikan, Donald Trump, për ta marrë nën kontroll këtë ishull, duke theksuar se diplomacia është më e rëndësishme sesa deklaratat publike.

“Ju siguroj se për këtë çështje po punoj në prapaskenë”, tha shefi i NATO-s gjatë një paneli në Davos.

SHIKONI EDHE: Liderët evropianë të palëkundur pas paralajmërimeve të Trumpit lidhur me Grenlandën

Ai përsëriti se nuk do të prononcohet publikisht, pasi, sipas tij, “e vetmja mënyrë për ta zgjidhur krizën është diplomacia e menduar mirë”.

Rutte është udhëheqësi i vetëm që deri më tani ka konfirmuar se do të takohet me Trumpin në margjinat e forumit në Davos të Zvicrës.

Duke folur në panel, Rutte theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj aleancës, por shtoi se Amerikës i duhet “një Evropë e sigurt dhe një Arktik i sigurt”.

Ai theksoi se, sa i përket Arktikut, pajtohet me presidentin amerikan.

“Duhet ta mbrojmë Arktikun nga ndikimi rus dhe kinez”, tha Mark Rutte.

SHIKONI EDHE: NATO shqyrton krijimin e “Rojës së Arktikut” për t’i zbutur tensionet SHBA–Danimarkë për Grenlandën

Ai po ashtu kërkoi që Evropa dhe SHBA-ja që mospajtimet për Grenlandën t’i shpërqendrojnë nga lufta në Ukrainë, që Rusia e nisi afër katër vjet më parë.

“Përqendrimi në Ukrainë duhet të jetë prioriteti ynë kryesor, është thelbësor për sigurinë evropiane dhe të SHBA-së”, u shpreh ai.

Trump më herët ka argumentuar se SHBA-së i duhet Grenlanda për të garantuar sigurinë kombëtare amerikane kundër rivalëve të Uashingtonit, Rusisë dhe Kinës.

Grenlanda, territor i Danimarkës me rreth 57.000 banorë, nuk është anëtare e pavarur e NATO-s, por mbulohet nga anëtarësimi i Danimarkës në këtë aleancë ushtarake. Një përpjekje për marrjen nën kontroll të Grenlandës do të përbënte rastin e parë në historinë e NATO-s që një aleat të cenojë territorin e një shteti tjetër anëtar të aleancës.