Debati mbi marrëveshjen e mundshme të Iranit me Shtetet e Bashkuara ka kaluar përtej klasës politike të vendit dhe është shtrirë edhe në institucionet fetare dhe tubimet popullore, të cilat prej kohësh kanë shërbyer si baza më besnike e mbështetjes për Republikën Islamike.
Qëkurse shpërtheu lufta dhe u vra udhëheqësi suprem, ajatollah Ali Khamenei, në sulmet amerikano-izraelite, klerikët e afërt me shtetin dhe recituesit e elegjive fetare kanë luajtur rol shumë të madh në mobilizimin e mbështetjes publike për Republikën Islamike dhe Forcat e Armatosura, përmes tubimeve të natës në sheshet e Teheranit dhe predikimeve fetare në gjithë vendin.
Por, derisa një memorandum paraprak mirëkuptimi me Uashingtonin ka nisur të japë fryt, e njëjta bazë mbështetëse ka filluar të shfaqë përçarje, dhe rëndësia e këtyre ndasive është shumë më e thellë sesa mospajtimet për një marrëveshje të caktuar.
SHIKONI EDHE:
Marrëveshja e Trumpit me Iranin dhe Marrëveshja Bërthamore e vitit 2015: Çfarë ndryshon këtë herë?Për vite me radhë, kleri fetar dhe tubimet popullore kanë qenë ndër instrumentet më të besueshme të mobilizimit politik në dispozicion të Republikës Islamike.
Tani, në mes të një procesi diplomatik historik, pikërisht këto instrumente po amplifikojnë kontradiktat e brendshme të shtetit – në një kohë kur udhëheqësi i ri suprem ende nuk është shfaqur publikisht dhe nuk është dëgjuar fare në kamera.
Të njohur në persisht si "madahan", recituesit e elegjive fetare udhëheqin ceremonitë e zisë dhe prej kohësh kanë shërbyer si mobilizues kyç politikë për Republikën Islamike.
Përçarja u thellua pasi Mojtaba Khamenei, i cili pasoi të atin si udhëheqësi i ri suprem i Republikës Islamike, publikoi një deklaratë ku tha se ai "në parim kishte pasur një qëndrim ndryshe" ndaj marrëveshjes, por kishte dhënë pëlqimin pasi presidenti Masud Pezeshkian kishte marrë përsipër personalisht përgjegjësinë për rezultatin.
SHIKONI EDHE:
Përçarje në kampin konservator të Iranit lidhur me bisedimet me SHBA-nëPërfaqësuesit e vijës së ashpër e interpretuan këtë formulim si një shenjë se vetë udhëheqja ishte, në rastin më të mirë, ngurruese, dhe e përdorën atë për ta arsyetuar kundërshtimin e tyre gjithnjë e më publik.
Kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj Pezeshkianit
Disa recitues elegjish kanë shkuar edhe më tej se kritikat. Në pamje filmike që u shpërndanë gjerësisht në internet, një "madah" i quajtur Mohammad Ali Bakhshi lëshoi një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Pezeshkianit, duke paralajmëruar se, nëse nuk plotësoheshin kushtet e vendosura nga udhëheqësi suprem, "ne e dimë çfarë të bëjmë me një teh dhe me fytin tënd".
Kërcënimi shkaktoi një reagim të ashpër publik nga një zëdhënës i lartë presidencial, i cili e quajti atë " fyerje ndaj votës së miliona iranianëve".
Masoud Pezeshkian.
Reza Narimani, një tjetër recitues elegjish i afërt me establishmentin, përdori një predikim të fundit për të sulmuar Pezeshkianin lidhur me deklaratat e presidentit se qeveria kishte vënë në dispozicion të divizionit ajror-hapësinor të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) 20 milionë fuçi naftë, në mënyrë që ai të mund të luftonte.
Narimani e quajti këtë mënyrë të paraqitjes së çështjes fyerje ndaj forcave të armatosura.
"A do të fillojë tani qeveria ta qarkullojë një thes për mbledhje donacionesh në ceremonitë mortore, duke u kërkuar njerëzve të kontribuojnë për ushtrinë?" pyeti ai.
Ai gjithashtu pretendoi se udhëheqësi suprem kishte deklaruar shprehimisht se ishte kundër negociatave dhe marrëveshjes, duke argumentuar se ishte "e qartë" se nuk duhej të ishin zhvilluar bisedime fare.
"Pikërisht këtë e dëshiron kundërrevolucioni"
Jo të gjithë predikuesit kanë mbajtur këtë qëndrim.
Meysam Motiee, një nga recituesit më të njohur të elegjive fetare të afërt me shtetin, i drejtoi kritikat jo ekipit negociator, por atyre që po sulmonin komandantët ushtarakë për pranimin e marrëveshjes së përkohshme me Uashingtonin.
"Si mund ta lejojë dikush veten të ulet nën kondicioner, me këmbët kryq, dhe t'u drejtohet komandantëve të gardës, ushtrisë dhe forcave të sigurisë me gjuhën më fyese?" tha ai.
SHIKONI EDHE:
Armëpushimi sjell qetësi, por iranianët kërkojnë ndryshim"Pikërisht këtë e dëshiron kundërrevolucioni", theksoi ai.
Qëndrimi i tij u kritikua menjëherë nga media e vijës së ashpër Raja News, e cila e akuzoi se po sulmonte protestuesit në rrugë në vend që të kërkonte llogari nga zyrtarët.
Ndërkohë, sipas raportimeve, presioni po ushtrohet edhe nga nivelet më të larta të pushtetit.
Një recitues elegjish i quajtur Mohammad Taheri deklaroi në një tubim të fundit nate në Teheran se Khamenei kishte udhëzuar personalisht figurat fetare t'u thoshin turmave të shmangnin çdo deklaratë që mund të dobësonte qeverinë ose ekipin negociator – një pretendim që, megjithëse nuk është verifikuar, pati peshë të konsiderueshme politike.