Bosnja bëhet me ushtrues detyre të Përfaqësuesit të Lartë

Louis Crishock, ushtrues detyre i Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në vend të zgjedhjes së Përfaqësuesit të ri të Lartë, Bosnje dhe Hercegovina ka një ushtrues detyre të Përfaqësuesit të Lartë.

Louis Crishock, ish-zëvendës i Christian Schmidtit, është emëruar u.d i Përfaqësuesit të Lartë derisa të zgjidhet një pasardhës i ri i Schmidtit në këtë post.

Kështu u tha pas takimit të Bordit Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) që u mbajt në Sarajevë më 30 qershor.

Bordi u zotua se do të arrijë një marrëveshje për Përfaqësuesin e ri të Lartë “sa më shpejt që të jetë e mundur”, me synimin që kjo të arrihet jo më vonë se më 14 korrik.

“Bordi Drejtues i PIC-ut thekson se ushtruesi i detyrës të Përfaqësuesit të Lartë do të sigurojë plotësisht vazhdimësinë institucionale të funksionit, sigurinë juridike për të gjitha vendimet e marra nga përfaqësuesit e mëparshëm të lartë dhe do të veprojë nën udhëzimin politik të PIC-ut”, thuhet në njoftimin e OHR-it.

Crishock zyrtarisht do ta marrë detyrën më 1 korrik, kur dorëheqja e Schmidtit, që e dha në maj, hyn në fuqi.

Crishock është zyrtar i lartë në Shërbimin e Huaj amerikan dhe ka shërbyer si zëvendëspërfaqësues i Lartë që nga viti 2024. Ai po ashtu është mbikëqyrës ndërkombëtar i qarkut të Bërçkos, njësisë së veçantë administrative në Bosnje dhe Hercegovinë.

Bordi Drejtues i PIC-ut u mblodh për herë të dytë në qershor në përpjekje për të zgjedhur një Përfaqësues të ri të Lartë, por pa sukses.

Në mbledhjen e parë, të mbajtur më 3 dhe 4 qershor, shtetet anëtare nuk arritën të pajtoheshin për pasardhësin e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, i cili ka njoftuar për largimin nga kjo detyrë pas pak më shumë se pesë vjetësh mandat.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara mbështesin diplomatin italian Antonio Zanardi Landi – i cili ka edhe mbështetjen e vendit të tij – shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian në PIC kanë propozuar për këtë post diplomatin francez, Rene Trocaz.

SHIKONI EDHE:

Kush do ta pasojë Schmidtin si përfaqësuesi i lartë në Bosnje?

Javën e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se Uashingtoni pret që Përfaqësuesi i ri i Lartë në Bosnje e Hercegovinë të marrë detyrën deri në fund të qershorit.

A mund ta drejtojë Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë një ushtrues detyre?

Ambasadori i Bosnjë e Hercegovinës në Serbi, Aleksandar Vranjesh, ishte ndër të parët që ngriti publikisht mundësinë se Crishock mund të jetë një zgjidhje e përkohshme, derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare për emrin e Përfaqësuesit të Lartë.

Herën e fundit – dhe deri më tani të vetmen – kur Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) pati një ushtrues detyre në krye ishte në fillim të vitit 2009, kur diplomati amerikan Raffi Gregorian, atëherë zëvendëspërfaqësues i Lartë, ushtroi përkohësisht drejtimin e këtij institucioni.

Në atë kohë, Mirosllav Lajçak dha dorëheqje nga posti i Përfaqësuesit të Lartë, pasi mori detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme të Sllovakisë.

Gjatë shkurtit dhe marsit të atij viti, deri sa Valentin Inzko mori zyrtarisht detyrën e Përfaqësuesit të Lartë, këtë funksion e ushtroi Gregorian.

Megjithëse pozita e “ushtruesit të detyrës të Përfaqësuesit të Lartë” nuk ekziston zyrtarisht në asnjë dokument zyrtar, rasti i Gregorianit tregon se ajo mund të shërbejë si një zgjidhje praktike gjatë periudhës së tranzicionit.

SHIKONI EDHE:

Pavendosmëria evropiane po e detyron SHBA-në ta rishqyrtojë rolin e vet në Bosnje, thotë Ambasada amerikane

Qëndrimi i BE-së dhe non-paper-i italian

Deri në publikimin e këtij lajmi, ambasadat e Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë nuk u përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se çfarë të ardhme presin që të ketë Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) dhe çfarë përgjegjësish do të ketë kjo zyrë në të ardhmen.

Bashkimi Evropian, ndërkaq, u përgjigj në një kërkesë të bërë më parë nga REL-i, duke thënë se ende po punojnë për të zgjedhur Përfaqësuesin e ri të Lartë, i cili do të përfaqësojë “unitet dhe konsensus”.

Nga Brukseli thanë se kandidati duhet të jetë nga BE-ja, dhe se blloku është i përkushtuar për “stabilitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës” si dhe për perspektivën evropiane si “një shtet i vetëm, i bashkuar dhe sovran”.

Në prag të një përpjekjeje të re për arritjen e një marrëveshjeje, Italia u dërgoi partnerëve të saj në PIC një non-paper, i cili tregon se si Roma e sheh të ardhmen e OHR-it.

Dokumenti, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, rendit kualifikimet e diplomatit Antonio Zanardi Landi për këtë post, por gjithashtu paralajmëron një zvogëlim gradual të rolit të OHR-it, duke i lënë kompetencat e Bonit si një “mjet të fundit”, kur të jenë shteruar të gjitha opsionet e tjera. Në dokument thuhet gjithashtu se Përfaqësuesi i ri i Lartë nuk do t’i shfuqizojë vendimet e paraardhësit të tij.

Po ashtu, aty theksohet se të gjitha vendimet do të merren në konsultim me Bordin Drejtues të PIC-ut dhe se mandati i Landit, sipas non-paper-it, është i kufizuar në dy vjet, me mundësi zgjatjeje edhe për dy vjet të tjerë.

Mandati i tij nuk lidhet me kohëzgjatjen e mandatit të OHR-it, i cili, sipas dokumentit, vazhdon të varet nga përmbushja e programit 5+2.

Kush janë kandidatët e mundshëm për Përfaqësues të Lartë?

Aktualisht, dy kandidatët kryesorë janë Landi dhe Trokazi.

Landi është 76-vjeçar dhe është diplomat karriere. Ai ka shërbyer si ambasador i Italisë në Rusi, Vatikan, Serbi dhe Mal të Zi.

Aktualisht, ai shërben si ambasador i Maltës në Selinë e Shenjtë.

Gjatë karrierës së tij diplomatike, pothuajse 50-vjeçare, ai ka punuar edhe në ambasadat në Otavë, Teheran dhe Londër.

Landi (në anën e majtë të fotografisë) dhe ish-sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Tracizio Bertone. Fotografi nga arkivi.

Trokazi, ndërkaq është 67-vjeçar, dhe aktualisht shërben si i dërguar i posaçëm i Qeverisë franceze për Ballkanin Perëndimor.

Që nga viti 1988 ai ka punuar në administratën franceze në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Veç tjerash, në dhjetë vjetët e fundit ai ishte ambasador në Qipro dhe konsull i përgjithshëm i Francës në Jerusalem.

Çfarë është PIC-u dhe cili është roli i OHR-së?

PIC është një trup politik ndërkombëtar i ngarkuar me mbikëqyrjen dhe zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, ndërsa Këshilli Drejtues i tij – në të cilin bëjnë pjesë shtetet kyç perëndimore dhe aktorë ndërkombëtarë – është përgjegjës për zgjedhjen e Përfaqësuesit të ri të Lartë.

OHR është themeluar në vitin 1995 përmes Aneksit 10 të Marrëveshjes së Dejtonit, si një mekanizëm kyç për mbikëqyrjen e zbatimit civil të paqes.

SHIKONI EDHE:

Schmidt jep dorëheqje nga posti i përfaqësuesit të lartë në Bosnje dhe Hercegovinë

Që atëherë, këtë funksion e kanë ushtruar tetë Përfaqësues të Lartë, ndërsa Schmidt është i nënti në këtë post.

Përgjatë viteve, Përfaqësuesi i Lartë ka fituar të ashtuquajturat Kompetenca të Bonit, të cilat i mundësojnë marrjen e vendimeve detyruese, përfshirë shpalljen e ligjeve dhe shkarkimin e zyrtarëve.

Megjithëse ishte paraparë si një instrument i përkohshëm, OHR ka mbetur deri më sot një faktor kyç i stabilitetit në Bosnje dhe Hercegovinë.