Britania sanksionon dy ministra izraelitë për shkak të Gazës

Shkatërrimet në Rripin e Gazës. 31 maj 2025.

Dy ministra të Qeverisë izraelite, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, janë sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar për shkak të deklaratave të tyre për Gazën.

Ben-Gvir, ministër i Sigurisë në ekzekutivin e Benjamin Netanyahut, dhe Smotrich, ministër i Financave, që të dy do të përballen me ndalesë udhëtimi dhe ngrirje të aseteve.

Kjo lëvizje vjen teksa Mbretëria e Bashkuar dhe shtete të tjera perëndimore po kërkojnë të rrisin presionin ndaj Qeverisë izraelite, teksa po vazhdon lufta në Gazë.

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, tha se ishte “i zemëruar që përfaqësuesit e zgjedhur dhe anëtarët e Qeverisë iu nënshtrohen këtyre masave".

“E kam diskutuar këtë çështje sot me kryeministrin Netanyahu dhe do të mbajmë një mbledhje të posaçme të Qeverisë javën e ardhshme për të vendosur për përgjigjen tonë ndaj këtij vendimi të papranueshëm”.

Smotrich dhe Ben-Gvir që të dy u përkasin partive të krahut të djathtë që bëjnë pjesë në koalicionin e brishtë qeverisës të Netanyahut.

Që të dy janë kritikuar për shkak të qëndrimit të ashpër që kanë për luftën në Gazë.

SHIKONI EDHE: OKB: 100 për qind e banorëve të Gazës janë në rrezik nga zia e bukës

Smotrich ka bërë fushatë kundër lejimit të dërgimit të ndihmave në Gazë, ndërkaq Ben-Gvir ka kërkuar që popullsia e Gazës të zhvendoset nga territori palestinez.

Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj kanë rritur presionin ndaj Izraelit, teksa territori palestinez muajt e fundit është përballur me mungesë të ndihmave humanitare dhe në kohën kur Izraeli ka sugjeruar se mund të nisë një ofensivë të re në Gazë.

Së fundi, një fondacion – që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit – ka nisur shpërndarjen e ndihmës në Gazë, por kjo nismë është kritikuar nga Kombet e Bashkuara.

Lufta në Gazë nisi në tetor të vitit 2023, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 54.000 persona dhe territori ka pësuar shkatërrime të mëdha. OKB-ja ka paralajmëruar se popullsia e Gazës po përballet me mungesë të theksuar të ushqimeve.