Mes zjarrit dhe lamtumirave, ukrainasit largohen nga Donbasi

Një fotoreporter ukrainas dokumentoi jetën pranë vijës së frontit, ndërsa Rusia vazhdon ofensivën në Ukrainën lindore - pavarësisht sulmeve të suksesshme të Ukrainës me dronë në thellësi të territorit rus.

Fotoreporteri Anatolii Stepanov po punonte në Druzhkivka, një qytet në lindje të Ukrainës, më 22 qershor, kur një dron FPV fluturoi mbi kokën e tij dhe u përplas në një ndërtesë banimi.

Banesa u përfshi menjëherë nga flakët.

“Një burrë që jetonte në banesën ngjitur, doli në ballkon dhe shikonte apartamentin duke u djegur”, rrëfeu Stepanov për Radion Evropa e Lirë.

“E pyeta nëse do të largohej. M’u përgjigj: ‘Ku të shkoj? Dhe, çfarë do të bëj…”.

Një burrë shikon apartamentin e një fqinji duke u djegur pas një sulmi me dron në Druzhkivka, më 22 qershor.

Sulmi me dron ndaj ndërtesës së banimit është vetëm një nga disa incidentet që Stepanov i dokumentoi ditët e fundit, duke treguar kushtet gjithnjë e më të vështira në të cilat jetojnë banorët e Druzhkivkës.

Qyteti ndodhet rreth 15 kilometra nga vija e frontit, pranë Kostjantinivkës, të cilën forcat ruse po përpiqen ta rrethojnë.

Në mars të këtij viti, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, publikoi një video të shkurtër të regjistruar në qendër të Druzhkivkës.

Edhe atëherë, shfaqja e tij në qytet u konsiderua e rrezikshme.

Sot, një vizitë e tillë mund të jetë e paimagjinueshme.

“Këtu, civilët përballen çdo ditë me rrezikun e vdekjes”, tha Stepanov.

Një burrë shtyn biçikletën përgjatë një rruge në Druzhkivka, të mbuluar me rrjeta mbrojtëse kundër dronëve dhe të rrethuar me tela me gjemba, më 21 qershor. Telat janë vendosur si masë përgatitore në rast të ndonjë beteje të mundshme tokësore për qytetin.

Po atë ditë kur pa sulmin me dron ndaj ndërtesës së banimit, fotoreporteri kaloi pranë një veture që kishte dalë nga rruga dhe kishte shumicën e xhamave të thyer.

Brenda saj ndodheshin trupat e pajetë të një burri dhe një gruaje.

“Këta njerëz po udhëtonin mëngjesin e 22 qershorit, kur një dron goditi anën e pasagjerit të automjetit. Ishin bashkëshortë. Vdiqën në vend”, tha Stepanov.

“Ata kishin të lidhur shirita të bardhë në makinë. Disa njerëz besojnë se ata do t’i mbrojnë nga sulmet, por ata nuk shpëtuan”, u shpreh ai.

Një pjesëtar i njësisë së evakuimit të policisë ukrainase mban një copëz droni, ndërsa një banor i Druzhkivkës ndihmohet nga një koleg i tij, më 21 qershor.

Stepanov, fotoreporter i pavarur që udhëtoi në Druzhkivka për një angazhim me agjencinë Reuters, ishte me njësinë ukrainase “Engjëjt e bardhë”.

Kjo njësi policore ka për detyrë evakuimin e civilëve nga zonat pranë vijës së frontit, përfshirë fëmijët, të cilët në disa zona me rrezik ekstrem i nënshtrohen evakuimit të detyrueshëm, për shkak të luftimeve.

Banorët e Druzhkivkës përgatiten për evakuim, më 22 qershor.

Misionet e evakuimit nuk shkojnë gjithmonë sipas planit, tha Stepanov. Kur ekipi i policisë mbërriti më 22 qershor te shtëpia e një çifti të moshuar, ata thanë se kishte ndodhur një keqkuptim.

“Dikush kishte kërkuar evakuimin në emër të tyre, por ata donin të qëndronin. Kështu që mbetën aty”, kujtoi fotoreporteri.

Një banore 87-vjeçare e Druzhkivkës ndihmohet gjatë evakuimit nga qyteti, më 20 qershor.

Sipas punonjësit me përvojë të gjatë në ndihma humanitare, Yevhen Tkachov, njerëzit që vazhdojnë të jetojnë në qytetet pranë vijës së frontit, derisa forcat ruse avancojnë gradualisht, mund të ndahen në dy grupe: ata që kanë simpati për Kremlinin dhe presin arritjen e forcave ruse, dhe ata që nuk duan t’i braktisin shtëpitë që kanë ndërtuar gjatë gjithë jetës së tyre.

Një anëtar i “Engjëjve të Bardhë” mban një pushkë, ndërsa kontrollon nëse ka banorë në një ndërtesë të dëmtuar në Druzhkivka, më 22 qershor.

Në vendbanimet pranë vijës së frontit nuk ka qetësi nga sulmet as gjatë netëve të verës, tha Stepanov.

Në Kramatorsk, rreth 15 kilometra larg Druzhkivkës, ai tregoi se si “zgjohesh natën, sepse diçka ka shpërthyer pranë dritares”.

Megjithatë, në atë qytet ende mund të shihet njëfarë normaliteti.

“Njerëzit vazhdojnë të dalin në rrugë, tregu ende funksionon dhe njerëzit blejnë nëpër dyqane”, tha Stepanov.

Një banor i Druzhkivkës i jep lamtumirën qenit të tij ndërsa përgatitet të evakuohet, më 20 qershor. Qeni iu dorëzua një organizate për mirëqenien e kafshëve.

Një banore e Druzhkivkës, e cila u evakuua më 22 qershor, i tha Stepanovit se kërcënimi nga dronët FPV, si edhe nga dronët shumë më shkatërrues Shahed, e ka bërë jetën në qytet tepër të rrezikshme.

Por, ajo tha se një ditë do të kthehej.

“Nuk dua të jetoj në një vend të huaj... Lufta do të përfundojë dhe unë do të kthehem në shtëpi”.

Përgatiti: Valona Tela