Migrantët në Bosnje, në borë e pa strehë

Teksa po binte borë, migrantët në kampin “Lipa” më 26 dhjetor, në veriperëndim të Bosnjës prisnin që të rizhvendosen. Ky kamp gjendet në kufi me Kroacinë. Ky kamp u shkatërrua pothuajse tërësisht nga zjarri që shpërtheu më 23 dhjetor, duke lënë shumë migrantë pa vend për t’u strehuar.

Bora ka mbuluar kampin tashmë të djegur të “Lipës”. Aty pranë është ngritur një tendë e përkohshme.
Kampi “Lipa” që u hap më 21 prill, kishte për qëllim që të strehonte vetëm burrat. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, në këtë kamp banonin 1,359 migrantë.
 

 Një zyrtar policor shtyn disa migrantë të cilët po presin që të vendosen diku tjetër. Megjithatë, zyrtarët thanë se zhvendosja e migrantëve nga kampi “Lipa” – që u mbyll më 23 dhjetor – do të shtyhen, pasi që ky kamp u shkatërrua pothuajse tërësisht nga zjarri.

Një migrant duke kërkuar në rrënojat e kampit gjërat e tij persona.
Kampi “Lipa” ishte një qendër e përkohshme pritjeje, por kur autoritetet lokale, në shtator të vitit 2020 e mbyllën kampin “Bira” në Bihaq, në të cilën mund të strehoheshin deri në 3,000 persona. Nga kampi “Bira” u dërguan në “Lipa” 300 migrantë. Kampi “Bira” u mbyll sepse paraqiste rrezik për sigurinë dhe shëndetësinë, thanë autoritetet lokale.

Migrantët ngrohin këmbët e tyre në një zjarr që kanë ndezur.

Një migrant pret që të zhvendoset nga kampi pothuajse i djegur në "Lipa". 

 

Një migrant ecën nëpër oborrin e kampit. Zjarri në kampin “Lipa” ndodhi pasi përfaqësuesit e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim u larguan nga kampi, duke thënë se autoritetet nuk kanë ndërmarrë vendime për akomodimin e migrantëve. Ata u tërhoqën nga kampi më 23 dhjetor, duke lënë rreth 1,400 burra migrantë, të cilët pas djegies së kampit po jetojnë në një tendë dhe po përballen me të ftohtin e stinës së dimrit.

Migrantët në strehën e përkohshme në kampin “Lipa”.
Pavarësisht zjarrit, autoritetet në Bosnje kanë dështuar që të gjejnë një strehë të re për këta migrantë. Zyrtarët shtetërorë kanë fajësuar autoritetet lokale se nuk kanë vullnet që të rihapin kampin “Bira”, në mënyrë që migrantët të dërgohen atje derisa kampi “Lipa” të bëhet një strehë për një periudhë më të gjatë për migrantët.

Brenda tendës ku janë të vendosur migrantët, ata ndezin zjarr për të përgatitur ushqim. Organizatat e ndihmës po iu sjellin migrantëve ushqim, por në këtë tendë nuk ka ngrohje e as ujë.

Kështu duket tenda ku janë të vendosur migrantët.

Që prej fillimit të vitit 2017, Bosnja është përballur me krizën e migrantëve. Në këtë shtet janë pesë qendra të migrantëve: Miral dhe Sedra në veriperëndim, Usivak dhe Blazuj në rajonin e Sarajevës dhe Salakovaq afër Mostarit në jug të vendit. Sipas Ministrisë së Sigurisë, janë rreth 10,000 migrantë në Bosnje. Rreth 6,000 prej tyre janë në kampe dhe qendra të pritjeve, ndërkaq vlerësohet se 3,500 jetojnë në rrugë.

Migrantët duke ecur në borë në kampin “Lipa”. Disa prej migrantëve jetojnë në pyjet rreth Bihaqit.

Ministri i Sigurisë, Selmo Cikotiq ka thënë se ministria ka në plan që të zhvendosë në qendra të përkohshme të pritjes migrantët.
“Plani është që të ndërtohet qendra për pritjen e migrantëve në lokacionin në “Lipa”, ku Këshilli i ministrave ka ofruar 256,000 euro dhe 500,000 euro do të ofrojë Komisioni Evropian dhe disa ambasada po ashtu kanë premtuar ndihmë konkrete për të pajisur këtë qendër”, tha ai pasi zjarri shkatërroi kampin “Lipa”.

I mbuluar me batanije, një migrant ecën në oborrin e kampit "Lipa" më 26 dhjetor. 

 

Kampi "Lipa". Fotografi e bërë me dron më 27 dhjetor.