Deputetët e Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska miratuan dorëheqjen e Savo Miniqit nga funksioni i kryetarit të Qeverisë së Republikës Sërpska RS), me ç’rast u përmbyll seanca e 29-të e jashtëzakonshme e parlamentit, njofton RTRS.
Së shpejti pritet të mblidhet Kolegji i Kuvendit Popullor, në të cilin do të përcaktohet data dhe rendi i ditës i seancës së ardhshme të jashtëzakonshme, për zgjedhjen e Qeverisë së re të RS-së.
Miniq më 15 janar e ka kthyer mandatin, ndërsa ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës Sërpska, Ana Tërstiq Babiq, e ka njoftuar se do të propozohet sërish për mandatar.
Miniqi u emërua kryeministër nga Kuvendi Popullor i RS-së më 2 shtator të vitit të kaluar. Mandatin për formimin e Qeverisë ia kishte dhënë dhjetë ditë më herët Millorad Dodik.
SHIKONI EDHE: Dodik pa sanksione: A po nis një kapitull i ri politik në Bosnje?Ky veprim ishte i kontestueshëm për një grup deputetësh të Parlamentit të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), të cilët më 9 shtator paraqitën një apelim në Gjykatën Kushtetuese të BeH për vlerësimin e asaj vendimmarrjeje.
Konkretisht, Dodikut në fillim të gushtit i ishte hequr mandati i presidentit të RS-së, pasi Gjykata e BeH e kishte dënuar me vendim të formës së prerë me një vit burg (të cilin ai më pas e bleu) dhe me gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve politike, prandaj ai as nuk mund të propozonte Miniqin për mandatar.
Sipas Kushtetutës së entitetit, presidenti i RS-së i propozon Kuvendit Popullor kandidatin për kryetar të Qeverisë.
Koalicioni qeverisës në RS atëherë pohonte se mandatarin e kishte propozuar Dodik, si president i entitetit, ndonëse ai formalisht-juridikisht nuk ishte më në atë funksion pas aktgjykimit të formës së prerë dhe vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor të BeH, me të cilin atij i ishte hequr mandati.
Dodik atëherë vazhdonte të pretendonte se ishte president i RS-së, por më vonë ndryshoi qëndrim dhe Kuvendi Popullor i RS-së e emëroi Anën Tërstiq Babiqin, këshilltaren e tij shumëvjeçare, si ushtruese detyre të këtij funksioni.
SHIKONI EDHE: Fundi i epokës Dodik - së paku tash për tashGjykata Kushtetuese e BeH tashmë në nëntor të vitit të kaluar ka diskutuar për kushtetutshmërinë e Qeverisë së re të RS-së, por ka theksuar se vendimin do ta marrë në seancën e radhës, e cila pritet të mbahet javën e ardhshme.
Çfarë thotë Kushtetuta e RS-së?
Presidenti i Republikës propozon kandidatin për kryetar të Qeverisë brenda afatit prej 10 ditësh nga dita e miratimit të dorëheqjes, votimit të mosbesimit ose përfundimit të mandatit të Qeverisë së mëparshme për shkak të shpërndarjes ose shkurtimit të mandatit të Kuvendit Popullor.
Qeveria e re duhet të zgjidhet brenda afatit prej 40 ditësh nga dita e propozimit të kandidatit për kryetar të Qeverisë së re.