Moldavia dënon tre persona për planifikim të trazirave pas trajnimeve në Serbi dhe Bosnje

Një gjykatë në Kishinjev të Moldavisë.

Gjykata në Kishinjev dënoi tre persona për pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal, i cili gjatë vitit 2024 kishte përgatitur trazira të dhunshme masive në Moldavi dhe kishte organizuar trajnime në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.

Sipas aktakuzës, trajnimet ishin organizuar dhe drejtuar nga persona nga Rusia, në bashkëpunim me shtetas moldavianë, me qëllim shkaktimin e trazirave në Moldavi, në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe referendumit për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2024.

Informacionet për “kampet ruse” në Bosnje e Hercegovinë u shfaqën në tetor të vitit 2024. Atëherë, agjencitë e sigurisë së Moldavisë deklaruan se kishin identifikuar më shumë se 100 të rinj, të cilët dyshohet se ishin trajnuar në Rusi, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, për destabilizimin e vendit.

Gjykata në kryeqytetin e Moldavisë, më 6 shkurt, dënoi Aliona Gotcon dhe Ludmila Costencon me nga katër vjet e një muaj burgim, ndërsa Vladimir Harcevnicov u dënua me pesë vjet e katër muaj burgim.

SHIKONI EDHE:

Policia moldaviane gjen më shumë prova për grupin që dyshohet se u trajnua në Serbi për nxitjen e trazirave në MoldaviVuçiq: Në kampin për stërvitje luftarake në Serbi ishin edhe tre shtetas rusë

Vendimi u mor në gjykatën e shkallës së parë, ndërsa të akuzuarit nuk ishin të pranishëm në shpalljen e dënimit. Gjykata urdhëroi arrestimin e tyre për t’i dërguar në vuajtje të dënimit, ndërsa aktgjykimi mund të ankimohet.

Në vendim thuhet se të akuzuarit kanë vepruar si pjesë e një strukture kriminale të qëndrueshme, nën koordinim nga Rusia, dhe kishin të ndara qartë rolet.

Sipas gjykatës, aktivitetet e tyre përfshinin rekrutimin e anëtarëve të rinj, mbështetje logjistike, sigurimin e pajisjeve, si dhe trajnime për veprime të dhunshme dhe destabilizuese.

Një pjesë e veçantë e aktgjykimit i referohet trajnimeve që, sipas gjetjeve të gjykatës, janë mbajtur jashtë territorit të Moldavisë, kryesisht në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.

Gjykata thekson se të akuzuarit kanë qëndruar disa herë në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë zonën e Gllamoqanit, ku kanë marrë pjesë në trajnime teorike dhe praktike.

Sipas aktgjykimit, këto trajnime përfshinin menaxhimin dhe përdorimin e avancuar të dronëve, lidhjen e tyre me qendrat komanduese, zbulimin ajror në kuadër të grupeve sulmuese, si dhe simulime të hedhjes së mjeteve shpërthyese me ndihmën e dronëve.

Përveç kësaj, në vendim thuhet se trajnimet kanë përfshirë edhe taktika për shkaktimin e panikut dhe kaosit, metoda për çarjen e kordonëve policorë, aktivitete diversant-subversive, si dhe përgatitjen e mjeteve ndezëse dhe shpërthyese.

Gjykata konstatoi se këto aktivitete ishin të lidhura drejtpërdrejt me planet për organizimin e trazirave të dhunshme në Moldavi.

Serbia përmendet në dokumentet gjyqësore si një nga vendndodhjet e qëndrimit dhe trajnimit, por edhe si vend transit në rrugën e të akuzuarve drejt Bosnje e Hercegovinës.

Në aktgjykim thuhet se koordinatori i grupit qëndronte në Rusi, nga ku u jepte udhëzime anëtarëve, ndërsa trajnimet dhe aktivitetet praktike zhvilloheshin në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.

Sipas gjetjeve të gjykatës, të akuzuarit udhëtonin në itinerarin Moldavi-Serbi-Bosnje e Hercegovinë, ndërsa gjatë hetimeve janë gjetur prova materiale që tregojnë qëndrimin e tyre në të dyja vendet.

Ndër to janë kartëmonedha nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, karta SIM, pajisje telekomunikimi, si dhe regjistrime digjitale të krijuara gjatë qëndrimit në kampet e trajnimit.

Gjykata në aktgjykim thekson gjithashtu se gjatë bastisjeve te të akuzuarit janë gjetur pjesë për dronë, syze VR, telekomandë, bateri, pajisje për ruajtjen e dokumenteve dhe materiale digjitale që, sipas gjykatës, dokumentojnë trajnimet dhe aktivitetet e planifikuara.

SHIKONI EDHE: Rusit të dyshuar për destabilizimin e Moldavisë i gjenden gjurmë digjitale në Serbi

Regjistrimet digjitale përfshijnë fotografi dhe video të realizuara gjatë trajnimeve, si dhe udhëzime për përdorimin e dronëve dhe përgatitjen e mjeteve ndezëse dhe shpërthyese.

Gjatë gjykimit, të akuzuarit e kanë mohuar fajësinë, duke pretenduar se nuk ishin të vetëdijshëm për karakterin penal të aktiviteteve në të cilat kishin marrë pjesë dhe se qëndrimet jashtë vendit i kishin konsideruar si angazhime private ose profesionale.

Gjykata, megjithatë, nuk i pranoi këto pretendime, duke përfunduar se provat e mbledhura tregojnë ekzistencën e një qëllimi të qartë dhe koordinimi brenda grupit kriminal.

Ngritje e aktakuzave të reja

Gjatë zhvillimit të gjykimit, Prokuroria e Moldavisë ngriti aktakuzë edhe ndaj disa personave të tjerë të lidhur me trajnimet për nxitjen e trazirave.

Po ashtu, policia në Serbi arrestoi më 26 shtator të vitit të kaluar dy persona, nën dyshimet se kishin organizuar trajnime luftarako-taktike për shtetas të Moldavisë dhe Rumanisë, me qëllim nxitjen e trazirave në Moldavi.

SHIKONI EDHE: Presidentja e Moldavisë: Rusia po përgatit një ndërhyrje të paprecedentë në zgjedhjet e vjeshtës

Arrestimet pasuan pasi autoritetet në Kishinjev paralajmëruan publikisht për ekzistencën e kampeve luftarake në Serbi, duke deklaruar se ato ishin organizuar nga shërbimi sekret rus me synim destabilizimin e Moldavisë.

Në fillim të dhjetorit të vitit 2025, Moldavia kreu rreth 50 bastisje në disa lokacione në vend dhe gjeti prova se një grup i organizuar, i trajnuar më herët në një kamp në Serbi, dyshohet se kishte planifikuar të shkaktonte trazira në Moldavi.