Moldavia mbyll përkohësisht hapësirën ajrore për shkak të dronëve

Një dron i llojit Gerbera që u rrëzua në Moldavi më 25 nëntor 2025.

Moldavia, që gjendet në kufi me Ukrainën, mbylli hapësirën e saj ajrore për një orë gjatë natës, pas inkursionit të dronëve të rinj, tha Ministria e Mbrojtjes më 29 nëntor.

Ky shtet i vogël që gjendet në kufi me Ukrainën e shkatërruar nga lufta dhe me Rumaninë, vend anëtar të NATO-s, vazhdimisht është përballur me shkelje të hapësirës ajrore që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Incidenti i fundit vjen pasi Moldavia raportoi më herët këtë javë se një dron ishte rrëzuar në territorin e saj, teksa gjithsej gjashtë dronë që kishin kaluar hapësirën e saj ajrore.

Hapësira ajrore e Moldavisë “u mbyll përkohësisht për rreth një orë e 10 minuta, mes orës 22:43 dhe 23:53, si masë emergjente, pasi dy dronë të paidentifikuar fluturuan ilegalisht mbi territorin kombëtar, duke krijuar një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e aviacionit”, tha Ministria e Mbrojtjes në një komunikatë për media të shtunën.

Ajo shtoi se dronët e tipit Gerbera nuk ishin zbuluar nga radarët e Moldavisë, por inkursioni i tyre ishte “konfirmuar nga autoritetet kufitare ukrainase”.

“Nuk janë identifikuar objekte, copëza apo elemente që paraqesin rrezik për popullsinë dhe të dy dronët janë larguar nga hapësira ajrore kombëtare, duke u futur thellë në territorin ukrainas”, tha Ministria e Brendshme.

Megjithatë, tha ajo, dy avionë që po vinin drejt Kishinievit nga Parisi dhe Barcelona gjatë mbylljes së hapësirës ajrore devijuan fluturimet drejt Rumanisë.

SHIKONI EDHE: Fshati rumun, “pjesë e luftës” për shkak të dronëve rusë

Një tjetër aeroplan që po përgatitej të nisej nga Kishinievi u ndalua përkohësisht.

“Moldavia i dënon fuqishëm këto veprime të paligjshme dhe të rrezikshme, të cilat vunë në rrezik sigurinë e fluturimeve civile dhe jetët njerëzore”, tha Ministria e Mbrojtjes, duke i cilësuar shkeljet si “akte armiqësore të frikësimit dhe destabilizimit”.

Të mërkurën, Moldavia thirri ambasadorin rus në bisedë për shkak të rrëzimit të një droni, ndërsa vendosi dronin e rrëzuar para Ministrisë së Jashtme dhe i dorëzoi atij një notë proteste.