NATO po e shqyrton mundësinë e rritjes së prezencës ushtarake në shtetet e Baltikut dhe Poloni, në rast se Rusia vazhdon të dërgojë trupa në Bjellorusi për stërvitjet e planifikuara ushtarake, tha kreu i komitetit ushtarak të aleancës.
Rusia ka dërguar 30,000 trupa në Bjellorusi – që gjendet në veri të Ukrainës – për stërvitjet ushtarake, që janë planifikuar të mbahen këtë muaj, tha NATO. Ndërkaq, vlerësohet se Rusia ka vendosur mbi 100,000 trupa të tjera përgjatë kufirt me Ukrainën.
Shtetet e Bashkuara javën e kaluar kanë dërguar 3,000 trupa shtesë në Rumani dhe Poloni për të siguruar aleatët, ndërkaq Gjermania ka thënë se po e shqyrton mundësinë e rritjes së dislokimeve ekzistuese ushtarake në Lituani.
Dislokimet e mëtejme nga aleatët e NATO-s janë të mundshme, tha Rob Bauer, admiral holandez, i cili drejton trupin kryesor për strategji ushtarake të NATO-s.
“Ku kemi trupa vazhdimisht, në shtete të ndryshme – debati për këtë çështje është si rezultat i gjërave që janë duke ndodhur aktualisht. Po, po e shqyrtojmë si mundësi. Mund të ketë ndryshime në të ardhmen si rezultat i këtyre zhvillimeve”, tha Bauer gjatë një konference për media në Vilnius.
“Varet shumë, patjetër, nëse trupat ruse në Bjellorusi do të qëndrojnë në Bjellorusi”, shtoi ai.
SHIKONI EDHE:
Dislokohen trupa në afërsi të kufirit midis Bjellorusisë dhe UkrainësMoska ka thënë se nuk ka plane që ta pushtojë Ukrainën, por mund të ndërmarrë veprime të paspecifikuara ushtarake, nëse kërkesat e saj të sigurisë nuk plotësohen. Në mesin e kërkesave ruse është që NATO të mos e pranojë kurrë Ukrainën, kërkesë e cila nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara është cilësuar si e papranueshme.
“Nëse shikoni grumbullimin e trupave, Rusia mund të jetë në gjendje, që me trupat e mjaftueshme që aktualisht ka të kryejë një pushtim serioz.... në fund të këtij muaji”, tha Bauer.
“Nuk e dimë nëse ata do ta bëjnë një gjë të tillë ose nëse ky është qëllimi i tyre apo jo”, shtoi ai.
Bjellorusia dhe Rusia kanë thënë se do të kryejnë stërvitje të përbashkëta ushtarake nga 10 deri më 20 shkurt.
Dislokimet e fundit në kufirin bjellorus përfshijë njësi mjekësore ushtarake dhe njësi të tjera që do të ishin të nevojshme për të mbështetur një sulm ushtarak, tha Bauer.
“Nëse vërtetë po e shqyrtoni mundësinë e një pushtimi, juve do t’iu duhet më shumë sesa vetëm forcat luftarake. Kjo është ajo që ne po shohim gjithnjë e më shumë, të grumbullimeve përgjatë kufijve me Ukrainën dhe në kufirin midis Bjellorusisë dhe Ukrainës. Ky fakt, në vetvete është shumë shqetësues”, tha ai.