NATO: Rusia t'i përmbahet Traktatit për reduktimin e armëve bërthamore

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

NATO i bëri thirrje Rusisë që të përmbushë detyrimet e saj në baze të Traktatit për reduktime të programeve bërthamore të quajtur START.

"Ne shohim me shqetësim se Rusia ka dështuar të përmbushë detyrimet ligjore, përfshirë inspektimin [për programet bërthamore] dhe i bëj thirrje Rusisë të përmbushë detyrimet e saj sipas Traktatit”, shkroi në Twitter Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Edhe Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se Rusia po shkel Traktatin e ri START, i cili kufizon numrin e mbushjeve bërthamore që mund të dislokojnë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia përmes raketave tokësore, detare dhe bombarduesve.

SHBA-të kanë thënë se Rusia nuk po lejon inspektimin e objekteve të saj, siç e kërkon Traktati.

Lexoni edhe këtë: SHBA: Rusia po shkel traktatin për armët bërthamore

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, tha se Rusia mund të "rikthehet lehtësisht" te zbatimi i marrëveshjes.

“Ekziston një rrugë e qartë për kthimin [te marrëveshja]. Ajo që Rusia duhet të bëjë është që të lejojë inspektimet në territorin e saj, ashtu siç veproi për vite me radhë sipas traktatit të START dhe të marrë pjesë në takimin e komisionit konsultativ dypalësh. Asgjë nuk i pengon inspektorët rusë që të vijnë në Shtetet e Bashkuara dhe të zhvillojnë inspektimet”, tha Patel.

Zyrtarët rusë i kanë fajësuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen që Uashingtoni i ka dhënë Kievit, teksa Ukraina përballet me agresionin rus.

Richard Weitz, drejtor i Qendrës për Analiza Politiko-Ushtarake në Institutin Hudson i tha Zërit të Amerikës se ka disa arsye se pse Moska mund të jetë duke shkelur Traktatin.

Lexoni edhe këtë: Rusia: Shtyrja e bisedimeve bërthamore me SHBA-në, për shkak të dallimeve

“Në rastin më të mirë, Rusia po përpiqet të kërkojë lëshime të tjera nga Shtetet e Bashkuara, ndoshta të inspektojë më shumë sisteme amerikane. Në rastin më të keq, Rusia po mban peng procesin e kontrollit të armëve strategjike karshi agresionit të saj në Ukrainë”, tha Weitz.

Rusia nuk ka përjashtuar përdorimin e armëve taktike bërthamore në Ukrainë, çka ka ushqyer frikën globale për një katastrofë bërthamore.

Lufta në Ukrainë filloi më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën një “operacion special ushtarak” për çmilitarizimin e Ukrainës.

Perëndimi iu përgjigj Rusisë me sanksione të ashpra.

Si rezultat i luftës në Ukrainë, mijëra njerëz kanë vdekur, ndërkaq miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.