Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas raportojnë për përparim drejt përfundimit të luftës

Pamje nga takimi i zhvilluar mes zyrtarëve amerikanë, gjermanë dhe ukrainas më 14 dhjetor në Berlin.

Zyrtarët amerikanë dhe ata ukrainas thanë se arritën përparim substancial gjatë bisedimeve dyditore që kanë për synim përfundimin e pushtimit rus të Ukrainës, por mbeten edhe pyetje për çështje kyç, përfshirë fatin e territoreve që Kievi vazhdon t’i mbajë në rajonin lindor të Donjeckut.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha më 15 dhjetor se bisedimet ishin të vështira, por të dobishme, ndërsa negociatori i tij kryesor, Rustem Umerov, theksoi se “u arrit përparim i vërtetë” në Berlin me të dërguarin e posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e presidentit Donald Trump, Jared Kushner, që ishin në mesin e delegacionit amerikan.

“Këto lloj bisedimesh gjithmonë nuk janë të lehta, që të jem i sinqertë me ju. Por, ishte një bisedë produktive, me shumë detaje, me të vërtetë shumë”, tha Zelenskyy në një forum biznesi gjermano-ukrainas pas takimit SHBA-Ukrainë.

Në një konferencë për shtyp më vonë me kancelarin gjerman Friedrich Merz, Zelensky tha se palët “kanë dallime” për çështjen e territorit, duke theksuar se problemi “nuk është mbyllur”.

Ai tha se negociatorët ukrainas do të vazhdojnë bisedimet me delegacionin amerikan, dhe një zyrtar i SHBA-së tha se Trump do të telefononte gjatë një darke të përbashkët.

“Çështja territoriale është e dhimbshme. Ne e dimë 100 për qind se çfarë dëshiron Rusia dhe është e rëndësishme për mua që amerikanët më dëgjuan për këtë”, tha Zelenskyy.

“Besoj se amerikanët, si ndërmjetës, do të eksplorojnë mënyra të ndryshme për të zgjidhur çështjet”, përfshirë territorin dhe financimin për rindërtimin e Ukrainës.

Amerikanët “po punojnë jashtëzakonisht në mënyrë konstruktive për të ndihmuar Ukrainën që të gjejë një rrugë drejt një marrëveshjeje të paqes që është e qëndrueshme”, shkroi Umerov në X.

Zelensky pritet të takohet me udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë në Berlin më vonë gjatë 15 dhjetorit, teksa edhe udhëheqës të tjerë evropianë marrin pjesë, si dhe shefi i NATO-s. Reuters citoi një zëdhënës të Qeverisë gjermane të ketë thënë se emisarët evropianë po ashtu janë të përfshirë.

Agjencia e lajmeve Reuters citoi zyrtarë amerikanë duke thënë për gazetarët se kishte konsensus mbi disa çështje dhe se 90 për qind e çështjeve midis Rusisë dhe Ukrainës janë zgjidhur, por se kishte ende më shumë për t’u diskutuar. Zyrtarët thanë se Trump ishte i kënaqur me situatën momentale.

Kancelari Merz ishte optimist, duke thënë se tani ka shfaqur mundësia më e madhe për një proces të vërtetë paqeje që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë në shkurt 2022, dhe se SHBA-ja ka ofruar një kontribut të madh material për garantimin e sigurisë së Ukrainës, një çështje kyçe.

Me SHBA-në që shtyn për një marrëveshje paqeje, një çështje kryesore ka qenë fati i pjesës së rajonit të Donjeckut në lindje të Ukrainës që forcat e Kievit ende e kanë nën kontroll, pavarësisht viteve përpjekjesh të Rusisë për të zaptuar Donbasin në tërësi, që përbëhet nga rajonet Donjecku dhe Luhansku.

Merz u tha gazetarëve se vetëm Ukraina mund të vendosë për koncesionet territoriale, dhe po një zyrtar amerikan bëri një koment të ngjashëm.

Në një çështje tjetër kyç, një zyrtar amerikan tha për gazetarët se SHBA-ja po ofron Kievit garanci të forta “shumë, shumë të forta” për sigurinë, në përputhje me Nenit Pesë të NATO-s – që thotë se një sulm ndaj një aleati është sulm ndaj të gjithëve – dhe shprehu besim se Rusia do të pranonte masat e propozuara.

“Këto garanci nuk do të jenë gjithmonë në tryezë. Ato garanci janë në tryezë tani nëse arrihet një përfundim në mënyrë të mirë”, tha zyrtari.

Një ditë më parë, Zelensky dhe të dërguarit amerikanë zhvilluan negociata më shumë se pesë orë në Berlin, duke mos dhënë sinjale për ndonjë rezultat, por duke paralajmëruar se bisedimet do të vazhdonin të hënn.

“Përfaqësuesit kanë zhvilluar diskutime të thella sa i përket planit 20-pikësh për paqe, për agjendën ekonomike edhe më tepër. Është arritur shumë përparim dhe do të ketë takim sërish nesër në mëngjes”, ka thënë i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff përmes një postimi në X – dikur Twitter, më 14 dhjetor.

Negociatat e Zelenskyt me zyrtarët amerikanë dhe ata evropianë synojnë ndaljen e luftës së Rusisë në Ukrainë, që ka nisur pothuajse katër vjet më parë. Ky është konflikti më i përgjakshëm në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

SHIKONI EDHE: Dekreti i Putinit detyron të huajt në Rusi të nënshkruajnë kontratë me ushtrinë

Para nisjes së takimeve, Zelensky ka sugjeruar se Ukraina do të heqë dorë nga aspiratat për t’u anëtarësuar në NATO, në këmbim të garancive perëndimore të sigurisë.

Megjithatë, heqja dorë nga NATO-ja nuk është vendim i lehtë për Zelenskyn, pasi anëtarësimi në aleancë është synim i përfshirë në Kushtetutën e Ukrainës.

“Prej fillimit, dëshira e Ukrainës ka qenë t’i bashkohet NATO-s, këto janë garanci reale të sigurisë”, ka thënë Zelensky në përgjigjen ndaj një gazetari.

“Disa partnerë prej Shteteve të Bashkuara dhe Evropës nuk e përkrahin këtë drejtim. Prandaj, garancitë bilaterale të sigurisë në mes të Ukrainës dhe SHBA-së, garanci të stilit të Artikullit 5, dhe garancitë e sigurisë nga kolegët evropianë, si dhe nga shtetet tjera – Kanadaja dhe Japonia – janë mundësi për të parandaluar një tjetër pushtim rus”, ka thënë ai.

“Ky është tashmë kompromis nga ana jonë”, ka thënë ai, duke shtuar se çdo garanci e sigurisë duhet të jetë ligjërisht e detyrueshme.

SHIKONI EDHE: Shefi i NATO-s: Ne jemi objektivi i radhës i Rusisë

Në mesin e kërkesave kryesore të Moskës është që Kievi të mos anëtarësohet kurrë në aleancën ushtarake perëndimore. Shumë vende anëtare të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara e kanë përjashtuar mundësinë e hyrjes së Ukrainës në aleancë, të paktën në kushtet aktuale.

Moska i nënvlerëson bisedimet në Berlin

Moska, në anën tjetër, e ka nënvlerësuar rëndësinë e bisedimeve në Berlin, pasi palët vazhdojnë të mos pajtohen për çështje territoriale dhe garanci të sigurisë.

Prezenca e Witkoffit – i cili i ka udhëhequr negociatat me Kievin dhe Moskën lidhur me propozimin amerikan – është parë si sinjal që Uashingtoni pret përparim drejt përfundimit të luftës.

Në nëntor, Shtetet e Bashkuara e kanë publikuar një plan 28-pikësh të paqes, që kritikët besojnë se është në favor të Rusisë. Kievi dhe aleatët evropianë kanë tentuar ta modifikojnë propozimin për t’i pasur parasysh nevojat e Ukrainës.

Zyrtarët kanë thënë se plani është rishkruar në 20 pika, ndonëse hollësitë nuk janë bërë të ditura.

“Plani nuk do të jetë diçka që të gjithë e pëlqejnë”, u ka thënë Zelensky gazetarëve para nisjes së bisedimeve.

“Ka natyrisht shumë kompromise në pikat e planit”.

Megjithatë, ka pak indikacione që Rusia do të jetë në të njëjtën linjë. Duke folur për një television rus më 14 dhjetor, Yuri Ushakov, ndihmësi i presidentit rus, Vladimir Putin për politikë të jashtme, ka thënë se ndryshimet e propozuara në planin amerikan për paqe “vështirë se do të jenë konstruktive”.

Your browser doesn’t support HTML5

Propozimi amerikan vs. propozimi evropian: Si parashihet arritja e paqes në Ukrainë?

Rusia, Ukraina i vazhdojnë sulmet

Teksa vazhdojnë përpjekjet diplomatike, Ukraina dhe Rusia i kanë vazhduar sulmet.

Një sulm rus me dron në një qendër tregtare në Zaporizhja i ka plagosur gjashtë persona, përfshirë një fëmijë.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka thënë se sulmet me dron e kanë goditur një depo nafte në rajonin Volgograd dhe një rafineri tjetër nafte në rajonin Krasnodar.

Zelensky ka thënë se rusët i kanë nisur më shumë se 1.500 dronë dhe 46 raketa të llojeve të ndryshme kundër Ukrainës këtë javë.

“Rusia është duke e zvarritur luftën dhe synon të shkaktojë sa më shumë dëm që është e mundshme kundër njerëzve tanë”, ka thënë mes tjerash ai.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.