Gjykata Themelore në Prishtinë e zhvilloi të martën me dyer të mbyllura seancën fillestare në rastin për keqpërdorimet e dyshuara të rezervave shtetërore, ku para gjykatësit dolën si të pandehur ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dy zyrtarë të kësaj Ministrie dhe një afarist.
Gjykatësi Avni Syla vendosi që seanca të jetë e mbyllur për publikun në mënyrë që të ruhen informacionet e klasifikuara.
Të pyetur se a duan që rasti të vazhdojë me seanca të hapura apo të mbyllura, avokatët e të akuzuarve kërkuan që të mos vazhdohet seanca, duke thënë se në dosjen e Prokurorisë ka dokumente të klasifikuara.
Avokatët kërkuan që, para se të vazhdonte seanca, të niste procesi i deklasifikimit të dokumenteve. Përndryshe, ata thanë se do të vihen para përgjegjësisë penale pasi që nuk kanë certifikatë të sigurisë, e nevojshme për të pasur qasje në dokumente të klasifikuara.
Hajdari - e cila i ka mohuar akuzat vazhdimisht - tha për media pas seancës se gjyqi ndaj saj është "antiligjor".
"Unë ndihem krejtësisht e pafajshme, sepse është një proces tendencioz nga Prokuroria Speciale e Kosovës, duke shkelur çdo procedurë ligjore", tha Hajdari.
Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj Hajdarit dhe tre të akuzuarve të tjerë më 11 nëntor të vitit të kaluar.
Hajdari dhe dy zyrtarë e Ministrisë së saj, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara dyshohen se bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitonin pasuri për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës një dëm prej rreth 3 milionë eurove gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.
Ndërsa i akuzuari i katërt, Ridvan Muharremi, dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Dështimi i mëparshëm i seancës fillestare
Seancë fillestare ishte caktuar edhe më 10 dhjetor të vitit të kaluar, por kishte dështuar për shkak se Hajdari dhe avokati i të akuzuarit tjetër, Irfan Lipovica, nuk ishin të pranishëm.
Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, kishte thënë se Hajdarit i ishte dërguar ftesa për pjesëmarrje përmes postës, por nuk kishte marrë përgjigje nëse ajo e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt.
Më pas, Hajdari kishte shkruar në Facebook se “nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës”.
“Në momentin që e pranoj thirrjen nga Gjykata, për seancën e ardhshme, do të paraqitem në seancë gjyqësore”, shtoi ajo.
SHIKONI EDHE: Dështon nisja e gjykimit për rezervat shtetëroreAktakuza për rezervat shtetërore
Hajdari, sipas aktakuzës së ngritur më 11 nëntor të vitit të kaluar, akuzohet për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
Hajdari dhe dy zyrtarët Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, sipas Prokurorisë, dyshohen se bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitonin pasuri për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.
Aktakuza pretendon se buxheti i shtetit ka pësuar një dëm prej rreth 3 milionë eurove si pasojë e veprimeve të të akuzuarve.
Ata dyshohet se asokohe kishin blerë një sasi vaji dhe një sasi gruri jashtë vendit, që nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.
SHIKONI EDHE: Prokuroria dorëzon aktakuzë ndaj ministres Hajdari dhe tre të tjerëve për rastin e rezervave shtetëroreQë të tre akuzohen për kryerjen e veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare.
Ndërsa i akuzuari i katërt, Ridvan Muharremi, dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen po ashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare.
Ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari, e ka cilësuar si “tendencë politike” ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, aktakuzën e ngritur kundër saj dhe tre të tjerëve për rastin e rezervave shtetërore.
Rezervat shtetërore
Më 2023, tre persona u arrestuan për rastin e rezervave shtetërore, përfshirë Garën, drejtor i departamentit të rezervave shtetërore, dhe Lipovicën, drejtor i departamentit për integrime evropiane.
Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë më 2023 u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku ishte pretenduar se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.
SHIKONI EDHE: Tre të arrestuar nën dyshime për keqpërdorime me rezervat shtetëroreAtëbotë, Hajdari deklaroi se blerjet për rezerva shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë hollësi, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.
Më vonë, ajo e akuzoi policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Si dëshmitar për këtë rast është thirrur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por deri më tani nuk ka pranuar të shkojë në Prokurorinë Speciale, duke ngulur këmbë të japë dëshminë në Kryeministri.
Për rastin e rezervave shtetërore, Kurti i ka dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.