Nis shembja e 11 shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit

Një shtëpi duke u shembur në zonën e Liqenit të Ujmanit. 21 korrik 2026.

Autoritetet e Kosovës nisën të martën aksionin për shembjen e 11 shtëpive të ndërtuara në pronën e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, në zonën e Liqenit të Ujmanit.

Kryeshefi ekzekutiv i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se objektet ndodheshin ilegalisht në pronë të ndërmarrjes.

Aksioni pranë Liqenit të Ujmanit.

Ai tha se pronarëve u ishte kërkuar më 3 korrik që t’i lironin ato, por pas moszbatimit të kërkesës, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, nisën zbatimin e vendimit për rrënimin e tyre.

“Ne po e kthejmë pronën tonë. Po rrënohen 11 shtëpitë e ndërtuara ilegalisht në pronën e ndërmarrjes”, tha Mujka.

“Sipas informacioneve që kemi mbledhur, këto shtëpi, përveç njërës, janë ndërtuar gjatë viteve 2019/2020”, shtoi ai.

qendër të kontestit është pronësia e tokës ku janë ngritur shtëpitë.

Disa pronarë serbë thonë se parcelat i kishin marrë në shfrytëzim nga ndërmarrja publike serbe “Srbija Shume” dhe se për to kishin paguar qira.

Por, “Ibër-Lepenci” këmbëngul se toka është pronë publike e Kosovës, nën administrimin e saj, dhe se objektet janë ndërtuar pa lejet e nevojshme.

Pamje nga aksioni i 21 korrikut.

Policia e Kosovës bëri të ditur se aksioni për asistimin e institucioneve në rrënimin e shtëpive është duke u zhvilluar pa probleme.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se policia po i ofron mbështetje “Ibër-Lepencit” dhe Ministrisë së Mjedisit në zbatimin e vendimit.

Sipas tij, aksioni ka nisur rreth orës 07:00 në zonën e njohur si “Plazhi i Shqiptarëve”, në komunën veriore të Zubin Potokut.

“Deri më tani nuk kemi hasur në ndonjë problem për t'u theksuar”, deklaroi Elshani për Radion Evropa e Lirë.

Ai konfirmoi se, bazuar në informacionet që posedon policia, është paraparë rrënimi i 11 pushimoreve në këtë lokacion.

Autoritetet gjatë aksionit të 21 korrikut.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në një reagim të publikuar më 21 korrik, e përshkroi aksionin si një “akt të paligjshëm dhe terrori të [kryeministrit në detyrë të Kosovës] Albin Kurtit”, duke pretenduar se ai është duke u kryer “pa asnjë vendim gjyqësor” dhe “me qëllim hakmarrjen ndaj nesh, serbëve”.

Sipas saj, pronarët e shtëpive kishin mësuar për rrënimin e tyre vetëm përmes njoftimeve të vendosura në objekte.

Liqeni i Ujmanit konsiderohet infrastrukturë strategjike për Kosovën, pasi shërben për furnizim me ujë, prodhim të energjisë elektrike dhe ujitje.