Nxënësi vret nëntë persona në një shkollë të mesme në Turqi

Njerëz presin para ndërtesës së shkollës pas sulmit vdekjeprurës, në provincën juglindore të Kahramanmarasit, Turqi, 15 prill 2026.

Një nxënës 14-vjeçar i ka vrarë me armë zjarri të paktën nëntë njerëz, përfshirë tetë bashkëmoshatarë, dhe i ka plagosur të paktën 13 të tjerë, në një shkollë të mesme në juglindje të Turqisë të mërkurën, thanë autoritetet.

Ky është rasti i dytë me të shtëna në shkollë në Turqi brenda dy ditësh.

Tetë nxënës dhe një mësues humbën jetën në sulmin në provincën Kahramanmaras, tha ministri i Brendshëm i Turqisë, Mustafa Ciftci, duke shtuar se gjashtë nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.

“Ky ishte thjesht një sulm personal i kryer nga një prej nxënësve tanë, nuk është incident terrorist”, tha Ciftci.

Më herët, guvernatori i Kahramanmaras, Mukerrem Unluer, kishte thënë se sulmuesi e vrau veten në rrëmujë e sipër.

“Një nxënës i klasës së tetë erdhi me 5 armë dhe 7 karikatorë, të cilat besojmë se i përkisnin babait të tij, i cili është ish-oficer policie. Ai i mbajti armët në çantën e tij dhe hyri në dy klasa ku ndodheshin nxënës të klasës së pestë, duke shkaktuar vdekje dhe plagosje pa dallim”, tha Unluer.

Nxënësit e klasës së pestë në Turqi zakonisht janë 10 dhe 11 vjeç.


Ambulancat shihen pranë shkollës së mesme në Kahramanmaras, në jug të Turqisë, pas një sulmi vdekjeprurës më 15 prill 2026.

Të shtënat në shkolla janë shumë të rralla në Turqi.

I pyetur nga gazetarët nëse autoritetet do të ndërmerrnin masa pas sulmeve të kësaj jave, Ciftci tha: “Do të marrim masat e nevojshme”, por nuk dha hollësi.

Televizioni NTV raportoi se babai i sulmuesit është ndaluar nga Policia.

Ligjet për armët në Turqi janë përgjithësisht të rrepta, pasi vetëm njerëzit mbi 21 vjeç dhe me licencë lejohen të zotërojnë armë.

Megjithatë, armët janë të përhapura në vend, dhe shumë punonjës të sigurisë lejohen t’i mbajnë dhe t’i zotërojnë ato.

Pamje të paverifikuara treguan disa nxënës duke u hedhur nga dritaret e katit të dytë të shkollës ndërsa dëgjoheshin të shtëna me armë. Pamje të tjera të paverifikuara nga kamerat e sigurisë treguan sulmuesin duke qëlluar dy nxënës që po ecnin në një korridor.

Pamjet televizive nga oborri i shkollës të mërkurën treguan ambulanca që mbërrinin në vendngjarje, ku policia dhe turma njerëzish ishin mbledhur pranë hyrjes.

Ministri i Drejtësisë, Akin Gurlek, tha në platformën X se ka nisur një hetim për sulmin.

Të martën, një ish-nxënës hapi zjarr në një shkollë në provincën juglindore Sanliurfa, duke plagosur të paktën 16 njerëz, përfshirë nxënës dhe mësues, përpara se ta vriste veten.