OKB: 50 milionë njerëz i nënshtrohen skllavërisë moderne

Protestë kundër abuzimeve me ujgurët në Kinë. Fotografi nga arkivi.

Numri i njerëzve që bëjnë punë të detyrueshme apo që janë të martuar kundër dëshirës së tyre, shkon në gati 50 milionë në vitet e fundit, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Punën.

Në raportin më të ri të kësaj agjencie është thënë se krizat sikurse pandemia e koronavirusit, konfliktet e armatosura dhe ndryshimet klimatike kanë rritur pengesat në punësim dhe edukim.

Për pasojë, është rritur varfëria ekstreme dhe migrimi i detyrueshëm, është thënë në raport.

Kombet e Bashkuara kanë synim që të zhdukin të gjitha format e skllavërisë moderne deri më 2030, mirëpo numri i njerëzve që u nënshtrohen këtyre abuzimeve është rritur për 10 milionë në periudhën 2016-2021.

Sipas studimit, deri në fund të vitit të kaluar, 28 milionë njerëz kanë bërë punë të detyrueshme, derisa 22 milionë janë detyruar të jetojnë në martesa të padëshiruara.

SHIKONI EDHE:

Skllavëria nuk konsiderohet krim në gati gjysmën e shteteve në botë

Kjo nënkupton se gati një në çdo 150 njerëz në botë preket nga format moderne të skllavërisë, ka thënë raporti.

“Është shokuese që situata e skllavërisë moderne nuk është duke u përmirësuar”, ka thënë Guy Ryder, udhëheqës i Agjencisë së OKB-së për Punë, përmes një deklarate.

“Asgjë nuk mund të arsyetojë abuzimin e tillë të së drejtës themelore të njeriut”.

Në raport është vënë theksi te situata në Kinë.

Atje, shumë agjenci të OKB-së kanë paralajmëruar për mundësinë e punës së detyrueshme, sidomos në rajonin e Ksinjiangut, ku Pekini akuzohet për ndalim të mbi një milion ujgurëve dhe minoriteteve tjera myslimane.

Shumë organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut e konsiderojnë si "gjenocid" trajtimin që u bën Kina ujgurëve.

SHIKONI EDHE:

Pse është zemëruar Kina pas raportit të OKB-së për Ksinjiangun?