Olimpiada ndëshkon Korenë Veriore për mospjesëmarrje në Lojërat e Tokios

Flamuri i Koresë Veriore.

Autoritetet olimpike ndërkombëtare kanë pezulluar Korenë Veriore deri më 2022, për shkak të dështimit të Phenjanit për të dërguar ekipin në Lojërat Olimpike Verore që janë mbajtur muajin e kaluar në Tokio.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, ka bërë të ditur këtë ndëshkim që, pezullon mbështetjen financiare dhe ia pamundëson Koresë Veriore pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore, të cilat mbahen vitin e ardhshëm në Pekin.

“Komiteti Olimpik Kombëtar i Republikës Demokratike Popullore të Koresë, do të pezullohet deri në fund të vitit 2022 si rezultat i vendimit të njëanshëm për të mos marrë pjesë në Tokio”, ka thënë Bach në një konferencë për media.

SHIKONI EDHE: Shtyrja e Lojërave Olimpike kushtoi rreth 2 miliardë dollarë

Megjithatë, ai ka thënë se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të marrë vendime individuale ndaj atletëve verikoreanë – skenar i ngjashëm me atë të ndalesës së ekipit kombëtar të Rusisë, disa pjesëtarë të së cilës janë lejuar të marrin pjesë në Lojërat e Tokios këtë vit.

Koreja Veriore ka qenë shteti i vetëm në botë që nuk ka dërguar asnjë prej atletëve të saj në Tokio.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i ka ofruar zgjidhje Koresë Veriore, duke i ofruar edhe ndihmë me vaksinat kundër koronavirusit, mirëpo ofertat janë “refuzuar vazhdimisht” nga zyrtarë olimpikë verikoreanë.