Omani dënon sulmin ndaj një cisterne në Ngushticën e Hormuzit

Ngushtica e Hormuzit. Fotografi nga arkivi.

Omani e dënoi sulmin e fundit ndaj një anijeje në Ngushticën e Hormuzit – që dyshohet se është kryer nga Irani – teksa tha se bisedimet me Teheranin për arritjen e një marrëveshjeje për një rrugë të re përmes kësaj ngushtice janë “pozitive” dhe “konstruktive”.

Ministria e Jashtme e Omanit, më 8 gusht, “dënon sulmet e përsëritura ndaj anijeve që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, të cilat përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të sovranitetit mbi ujërat territoriale, si dhe kërcënojnë sigurinë e lundrimit detar dhe sigurinë e stabilitetin e rajonit”.

Në një postim në X, ajo shtoi se “negociatat lidhur me lundrimin në Ngushticën e Hormuzit po zhvillohen në një atmosferë pozitive dhe konstruktive”.

SHIKONI EDHE:

Irani: Përparim në bisedimet me Omanin për Ngushticën e Hormuzit

Ministria e Jashtme e Omanit theksoi po ashtu “rëndësinë e shmangies së çdo veprimi që mund të ndikojë në këto negociata dhe në përparimin e arritur, duke marrë parasysh interesat e të gjitha palëve”.

Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se Irani ka shënjestruar një anije cisternë që i përket kompanisë shtetërore të naftës, teksa ajo po kalonte nëpër ngushticë më 8 gusht.

Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe e dënoi atë që e cilësoi si “sulm armiqësor iranian që shënjestroi një cisternë”, duke shtuar se një raketë shkaktoi dëme, por nuk ka viktima.

Disa orë më herët, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha se Teherani dhe Muskati janë “shumë pranë” arritjes së një marrëveshjeje për një rrugë të re përmes ngushticës.

Megjithatë, Araqchi tha po ashtu se Teherani do të vendosë kushte për marrëveshjen, përfshirë kompensimin për atë që ai i cilësoi si shkelje të Uashingtonit të marrëveshjes mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, të ndërmjetësuar nga Pakistani në fillim të këtij viti.

Në fillim të kësaj jave, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se beson që Irani nuk mund ta vazhdojë konfliktin edhe për shumë kohë dhe se negociatat me Teheranin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit janë duke vazhduar.

SHIKONI EDHE:

Trump: Irani ose të bëjë marrëveshje ose të dorëzohetTrump kërcënon se do të përdorë asetet iraniane për të paguar dëmet ndaj anijeve në Hormuz

Zyrtarët iranianë mohuan se po zhvillohen bisedime me Uashingtonin, ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baqaei, tha se Teherani dhe Muskati pothuajse e kanë finalizuar një deklaratë të përbashkët, “me kusht që palë të treta të caktuara të mos e pengojnë procesin”.

Mbyllja de facto e ngushticës që një kohë të gjatë është një nga çështjet qendrore të luftës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe një nga pengesat kryesore për një marrëveshje për dhënien fund të konfliktit më të gjerë në Lindjen e Mesme.