Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar gjatë një takimi me një admiral të NATO-s të premten në Prishtinë se vendi i saj përballet me “kërcënime të vazhdueshme” nga Serbia, tha Presidenca kosovare.
Në takim me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admiralin Stuart B. Munsch, Osmani “vuri në pah sfidat e sigurisë në veri të vendit dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia”, tha Presidenca në një komunikatë.
SHIKONI EDHE: Osmani: Serbia dhe Rusia kërcënim për Kosovën, BE të mos e shpërblejë BeogradinOsmani nënvizoi gjithashtu rëndësinë e rolit të misionit paqeruajtës të NATO-s në vend, KFOR si faktor i rëndësishëm për parandalimin e përshkallëzimeve dhe ruajtjen e paqes.
“Në këtë kontekst, ajo ritheksoi se marrëdhënia ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it është jetike për misionin e përbashkët të stabilitetit dhe sigurisë në vend”, thuhet në njoftim.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.
Misioni i NATO-s, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta veçanërisht nga fundi i vitit 2023, kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur në veriun e banuar me shumicë serbe.
SHIKONI EDHE: Kosova kërkon që Serbia t’i dorëzojë të akuzuarit për Banjskën në dyvjetorin e vrasjes së BunjakutNjë polic kosovar dhe tre sulmues serbë u vranë në atë sulm në fshatin Banjskë të Zveçanit, dhe përgjegjësinë për të e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe.
Kosova e cilësoi sulmin terrorist dhe e fajësoi Serbinë, por Beogradi e ka mohuar të ketë pasur gisht.
NATO-ja e shtoi praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, dhe tani ka 4.649 paqeruajtës nga 33 shtete.
Kjo nuk është hera e parë që presidentja Osmani e akuzon Serbinë se përbën rrezik për Kosovës, pasi kohët e fundit ajo i ka përsëritur këtë vazhdimisht.
Ajo e tha këtë të premten paradite kur foli gjatë ceremonisë së ndërrimit të komandës së komandantit të KFOR-it, si dhe gjatë vizitave të saj në Danimarkë të enjten dhe në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar.
SHIKONI EDHE: Vuçiq pretendon se “të gjithë po përgatiten për luftë”Në fillim të samitit të Komunitetit Politik Evropian në Danimarkë të enjten, Osmani tha për gazetarët se Rusia paraqet kërcënim për Evropën, ndërkaq Serbia për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e akuzuar Beogradin se i kopjon veprimet e Moskës.
Duke iu përgjigjur akuzave të Osmanit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të premten vonë se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën Prishtinës.
Vuçiq nuk dha asnjë provë për t’i mbështetur pretendimet e tij se do të ketë luftë.
Ai shtoi se Serbia do të “bëjë çmos” për të mos marrë pjesë në atë luftë.