Osmani anulon shkuarjen në Munih, Kurti sinjalizon gatishmërinë për diskutime për presidentin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka anuluar pjesëmarrjen e saj në Konferencën e Sigurisë në Munih, ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Si arsye për anulimin e vizitës janë përmendur angazhimet institucionale dhe prioritetet që lidhen me zhvillime brenda vendit.

Konferenca e Sigurisë në Munih i mban punimet këtë vit më 13-15 shkurt në qytetin gjerman. Ajo konsiderohet konferencë me nam, për shkak të pjesëmarrjes së zyrtarëve shtetërorë të niveleve më të larta.

Paraprakisht ishte raportuar se përveç Osmanit, në këtë konferencë do të merrnin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.

Në nivel botëror, pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio bashkë me një delegacion të nivelit të lartë.

SHIKONI EDHE: S'ka “divorc”: Një vit pas fjalimit të Vance, cili do të jetë mesazhi i Rubios në Munih?

Vendimi i marrë nga Osmani vjen një ditë pasi Kosova është bërë me Qeveri të re në krye me Albin Kurtin.

Qeveria është zgjedhur më 11 shkurt, në të njëjtën ditë që është konstituuar Kuvendi i Kosovës.

Kryeministër, Albin Kurti

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca

Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka

Ministër i Financave, Hekuran Murati

Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku

Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci

Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha

Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari

Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri

Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend.

SHIKONI EDHE: Kurti rikthehet pas gati një viti në detyrë

Ndër prioritetet kryesore të Qeverisë në ditët e para është ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që ka Kosova me BE-në dhe Bankën Botërore. Të gjitha së bashku kapin vlerën e rreth 1 miliard eurove.

Kryeministri Kurti ka paralajmëruar në mbledhjen e mbajtur në paraditen e së enjtes se pas votimit të buxhetit të shtetit dhe ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, atëherë fokusi kthehet te çështja e pozitës së presidentit.

“Sa të përfundohen këto [marrëveshjet], jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet dhe diskutimet me subjektet e tjera politike për çështjen e zgjedhjes së presidentit”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka thënë hapur se synon edhe një mandat në krye të shtetit.

Ende nuk dihet nëse emri i saj do të propozohet në Kuvend dhe nëse do t’i ketë vojtat e nevojshme.

Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë.

Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, në fund të dhjetorit, presidentja Osmani ka thënë se nëse nuk e fiton edhe një mandat, atëherë do t’i kthehet angazhimit politik, pa treguar se me cilën parti.