"Pak gjasa" që Irani t’iu dorëzohet kërkesave të Trumpit, pavarësisht kërcënimit ushtarak

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Edhe pse presidenti amerikan Donald Trump po kërcënon se do të godasë Iranin, ai i ka bërë vazhdimisht thirrje Teheranit që të “arrijë një marrëveshje”.

Kërkesat e Trumpit për një marrëveshje janë të qarta: Irani duhet t’i japë fund programit të tij bërthamor, t’i kufizojë kapacitetet e raketave balistike dhe t’i ndërpresë lidhjet me grupet e armatosura aleate në Lindjen e Mesme. Në këmbim, Shtetet e Bashkuara nuk do ta sulmojnë Iranin dhe do t’ia heqin sanksionet e ashpra ekonomike.

Nëse Republika Islamike nuk i pranon këto kushte, Trump ka paralajmëruar se vendi do të përballet me pasoja “shumë më të rënda” sesa vitin e kaluar, kur SHBA-ja iu bashkua Izraelit në bombardimin e objekteve bërthamore iraniane.

SHIKONI EDHE: Ku është uraniumi i pasuruar i Iranit?

Ekspertët thonë se është pak e mundshme që Irani t’i pranojë kërkesat e Trumpit, të cilat do të përbënin kthesë të madhe nga politika e ndjekur prej dekadash dhe do të perceptoheshin në Teheran si kapitullim.

“Para se të jetë tepër vonë”

Në disa komente me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se Trump “shpreson që të mos jetë i nevojshëm asnjë veprim” kundër Iranit, por i bëri thirrje Teheranit të arrijë një marrëveshje “para se të jetë tepër vonë”.

Trump “ka treguar me operacionin Çekani i Mesnatës dhe operacionin Vendosmëria absolute, se e ka seriozisht atë që thotë”, ka thënë mes tjerash ky zyrtar zyrtar, duke iu referuar sulmeve të qershorit 2025 ndaj objekteve bërthamore iraniane dhe operacionit amerikan që rrëzoi udhëheqësin e Venezuelës, Nicolas Maduro, më 3 janar.

“Presidenti ka në dispozicion një gamë të gjerë opsionesh për t’u marrë me situatën në Iran”, ka deklaruar zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.

SHIKONI EDHE: Çfarë opsionesh ushtarake apo të tjera ka SHBA-ja kundër Iranit?

Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar ditët e fundit pajisje të rëndësishme ushtarake në Lindjen e Mesme, përfshirë një aeroplanmbajtëse dhe bombardues shtesë.

Trump ka rritur, gjithashtu, presionin ekonomik ndaj Teheranit duke vendosur një tarifë prej 25 për qind ndaj çdo vendi që bën biznes me Iranin.

Presidenti amerikan ka kërcënuar me sulm ushtarak ndaj Iranit që nga shpërthimi i protestave mbarëkombëtare në fund të dhjetorit 2025, kur autoritetet iraniane ndërmorën një shtypje të dhunshme që, sipas raportimeve, la mijëra protestues të vrarë.

Në këtë video mund të kuptoni krejt çfarë ndodhi në Iran në javët e fundit.

Veprimi ushtarak amerikan “i mundshëm”

Më 28 janar, Trump pati thënë se dëshironte një “marrëveshje të drejtë dhe të barabartë” që do të garantonte se Irani nuk do të kishte “asnjë armë bërthamore”. Teherani, në anën tjetër, ka këmbëngulur prej kohësh se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.

Por, çështja bërthamore është vetëm njëra prej kërkesave amerikane. Sipas raportimeve, Trump ka insistuar gjithashtu që Irani të bëjë kufizime në programin e raketave balistike dhe t’i japë fund mbështetjes për grupet e armatosura pro iraniane në Liban, Irak, Jemen dhe territoret palestineze.

Teherani zotëron raketa me rreze të shkurtër veprimi që kërcënojnë bazat ushtarake amerikane dhe interesat tregtare në Gjirin Persik, si dhe raketa të avancuara me rreze të mesme që mund të arrijnë Izraelin, një aleat kyç i SHBA-së.

Ekspertët thonë se Trump po përpiqet të shfrytëzojë dobësinë e pashembullt të udhëheqësisë klerike iraniane për ta detyruar Teheranin të bëjë lëshime të gjera.

SHIKONI EDHE: Irani është “praktikisht i pambrojtur” nëse SHBA-ja e sulmon

Udhëheqësit iranianë janë dobësuar nga kriza ekonomike që sa shkon e përkeqësohet dhe disa javë protestash mbarëkombëtare, të cilat duket se ishin kërcënimi më i madh ndaj pushtetit të tyre ndër vite. Izraeli, ndërkohë, i ka dëmtuar kapacitetet ushtarake të aleatëve të Iranit, përfshirë Hezbollahun në Liban, rebelët Huthi në Jemen dhe grupin palestinez Hamas, grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.

“Disa zyrtarë amerikanë e shohin këtë moment si një mundësi për të ushtruar presion mbi Teheranin që të bëjë lëshime lidhur me kufizimet bërthamore, sjelljen rajonale dhe kapacitetet raketore”, ka thënë Alex Vatanka, drejtor i programit për Iranin në Institutin e Lindjes së Mesme me seli në Uashington, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Shembja e Republikës Islamike”

Zyrtarë iranianë, përfshirë ministrin e Jashtëm Abbas Araqchi dhe kryetarin e Parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf, kanë deklaruar se Teherani është i hapur për bisedime, por kanë akuzuar Uashingtonin se nuk është i interesuar për një marrëveshje të drejtë.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, do të ishte “shumë skeptik dhe rezistent” ndaj pranimit të kërkesave të Trumpit, “pasi do ta shihte këtë si hapje të rrugës drejt shembjes së Republikës Islamike”, ka thënë Jason Brodsky, drejtor politikash në organizatën United Against Nuclear Iran, me seli në Uashington.

Në mungesë të një marrëveshjeje, Trump ka shumë gjasa të autorizojë veprime ushtarake kundër Iranit, beson Brodsky, duke iu referuar retorikës së presidentit dhe grumbullimit të forcave amerikane në rajon.

“Kjo është një skemë shumë e ngjashme deklaratash dhe veprimesh që çoi në luftën 12-ditore në qershor dhe në kapjen e Nicolas Maduros në Venezuelë. Presidenti Trump lëshon deklarata konfrontuese dhe pajtuese për ta çorientuar regjimin iranian”.

SHIKONI EDHE: Irani i Khameneit është një "anije që po fundoset"

Sipas Brodskyt, objektivat e një veprimi ushtarak do të ishin mbajtja e Iranit përgjegjës për shtypjen e përgjakshme të protestave, frenimi i sjelljes së tij në rajon dhe dobësimi i kapaciteteve ushtarake.

Ai beson se Trump mund ta shohë “veprimin e mëtejshëm ushtarak si parathënie të një marrëveshjeje eventuale në të ardhmen”.

Ndërsa Vatanka beson se ende “ka arsye që Shtetet e Bashkuara të mendojnë dy herë”.

Sipas tij, “Pentagoni e di se çdo sulm mund të shkaktojë një reaksion zinxhir rajonal”, duke përfshirë grupet e armatosura aleate dhe forcat përfaqësuese të Iranit.

Sipas tij, grumbullimi ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme mund të jetë “kryesisht i natyrës mbrojtëse, ose i orientuar drejt ushtrimit të presionit diplomatik ndaj Teheranit, dhe jo drejt ndryshimit të regjimit”.

Përgatiti: Krenare Cubolli