Këngëtarja amerikane, poetja dhe aktivistja Patti Smith ka shprehur mbështetje për Radion Evropa e Lirë, duke kujtuar rëndësinë e gazetarisë së pavarur dhe duke përmendur kërcënimet për financimin e kësaj media nga administrata aktuale amerikane.
Gjatë një koncerti të mbajtur më 19 korrik në Pragë, ku gjendet edhe selia qendrore e REL-it, këngëtarja 78-vjeçare para se të niste këngën e saj People Have the Power, tha se ia kushtojë këtë këngë “Steve dhe të gjithëve në Radion Evropa e Lirë”, duke iu referuar presidentit të REL-it, Stephen Capus.
Smith, një nga zërat origjinal gjatë lindjes së skenës së punk rokut në Nju Jork në mesin e viteve ’70, lavdëroi punën e REL-it dhe “shumë institucioneve të rëndësishme publike”, duke vënë në pah rolin e tyre për shpërndarjen e “informacioneve të rëndësishme te njerëzit në komunitetet rurale në mbarë botën”, teksa shtoi se këto institucione “po mbesin pa fonde nga administrata aktuale e shtetit tim”.
“Ne duhet të vazhdojmë të luftojmë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin”, shtoi ajo.
Me seli në kryeqendrën e Republikës Çeke që nga viti 1995, Radio Evropa e Lirë transmeton lajme të pavarura në 27 gjuhë në shtete ku liria e shtypit është e ndaluar apo nuk është e konsoliduar plotësisht.
Mbështetja e Smithit vjen në kohën kur e ardhmja e transmetuesve ndërkombëtarë, të financuar nga SHBA-ja, përfshirë Radion Evropa e Lirë, është e pasigurt për shkak të propozimeve për shkurtime buxhetore dhe ndryshim të prioriteteve politike në Uashington.
REL-i, së bashku me transmetuesit e tjerë të financuar nga Qeveria, sikurse Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Zyra e Transmetimeve për Kubën (Radio Marti), Rrjetet e Transmetimit për Lindjen e Mesme (MBN) dhe Fondi i Teknologjisë së Hapur, janë në një situatë të vështirë që kur presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që goditi Agjencinë Amerikane për Media Globale (USAGM).
"Fryma e lirisë": 75 vjet Radio Evropa e Lirë
USAGM është agjenci e pavarur qeveritare që mbikëqyr disa transmetues të financuar nga SHBA-ja, të cilët së bashku shpërndajnë lajme dhe informacione në gati 50 gjuhë për rreth 361 milionë njerëz çdo javë.
Kërcënimi për financimin e transmetuesit ka nxitur një valë të mbështetjes globale nga organizatat e mbrojtjes së mediave, analistë, avokues të demokracisë, si dhe nga audiencat në 23 vende ku transmeton REL-i.
Smith nuk është artistja e parë që ka folur në mbrojtje të REL-it.
Your browser doesn’t support HTML5
R.E.M. mbështet REL-in me remiksin e ri për Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit
Më herët këtë vit, grupi muzikor R.E.M. ripublikoi këngën Radio Free Europe për të shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit dhe për të vënë në pah punën e organizatës në mbështetje të gazetarisë së pavarur dhe të së vërtetës, në vende ku ajo është më së shumti e kërcënuar.
“Qoftë muzika apo shtypi i lirë – censura kudo është kërcënim për të vërtetën”, deklaroi këngëtari kryesor i grupit Michael Stipe, duke shtuar se grupi po “dërgonte një përshëndetje për gazetarët e guximshëm në Radion Evropa e Lirë”.
Edhe anëtari tjetër i R.E.M., Mike Mills ka ofruar mbështetje për REL-in.
“Gazetarët e REL-it kanë zemëruar diktatorët për 75 vjet. E dini se po e bëni punën mirë kur bëni armiqtë e duhur”, tha ai.