Partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i ka kërkuar gjykatës më të lartë të vendit ta shqyrtojë nëse Qeveria e re e Kosovës është zgjedhur në mënyrë të ligjshme, duke thënë se ajo u votua nga një Kuvend i “pa konstituuar”.
Kuvendi i Kosovës e votoi Qeverinë e re duke e zgjedhur Albin Kurtin kryeministër për herë të katërt të dielën, pak orë pasi ishte konstituuar legjislatura e 11-të mes polemikave dhe akuzave për shkelje kushtetuese gjatë procesit.
Deputetët e PDK-së, Përparim Gruda dhe Arian Tahiri, iu drejtuan të martën Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për ta vlerësuar votimin, një ditë pasi i kërkuan asaj të vendosë masë të përkohshme ndaj Kuvendit.
SHIKONI EDHE:
PDK-ja i kërkon Kushtetueses të vendosë masë të përkohshme lidhur me konstituimin e Kuvendit“Sot e kemi kontestuar vendimin e Kuvendit për ta zgjedhur Qeverinë e re të Kosovës, sepse ne konsiderojmë sepse Kuvendi është konstituuar duke e shkelur Kushtetutën”, tha Gruda për media.
Ai nguli këmbë se “një Kuvend që është konstituuar në mënyrë jokushtetuese” nuk mund ta zgjedhë një qeveri kushtetuese.
“Argumentet tona janë profesionale dhe deri në fund kushtetuese dhe jemi të bindur se do të merren parasysh nga Gjykata Kushtetuese”, theksoi Gruda.
Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i tha Radios Evropa e Lirë se në konstituimin e Kuvendit pati shkelje të Kushtetutës dhe se një vendim që do ta konstatonte këtë, do të mundë ta vinte në pikëpyetje edhe zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4.
Si u konstituua Kuvendi?
Kuvendi u shpall i konstituuar të dielën paradite, pasi u zgjodhën nënkryetarët nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe komuniteteve pakicë.
Kryetarja dhe nënkryetari i parë nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pushtet ishin zgjedhur në seanca të mëparshme të mërkurën dhe premten, përkatësisht.
PDK-ja nuk mori pjesë në seancë dhe paraprakisht e kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare, kur LVV-ja nuk ia kishte votuar në seancën e të premtes.
LVV kishte thënë të shtunën vonë se do ta votonte Çitakun. Por, PDK nuk pranoi të merrte pjesë.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik”, dhe e vazhdoi procesin.
SHIKONI EDHE:
Hasani: Kuvendi është konstituuar në shkelje të KushtetutësKandidati i LDK-së për nënkryetar, Kujtim Shala, u zgjodh me 75 vota.
Pas tetë kandidaturave të dështuara nga Lista Serbe, u zgjodh edhe deputetja serbe Tanja Vujoviq. Nga komunitetet joserbe u zgjodh deputetja boshnjake Emilija Rexhepi.
Pas votimit të nënkryetarëve, Haxhiu deklaroi se Kuvendi “konsiderohet i konstituuar”.
Disa orë më vonë, Kuvendi u mblodh sërish dhe e zgjodhi Qeverinë e re, në një seancë të braktisur nga PDK, Aleanca dhe LDK.
PDK-ja argumenton se pushteti e shkeli Kushtetutën duke shpërfillur afatet kushtetuese për procesin e konstituimit të organit ligjvënës.
Ajo pretendon se është shkelur afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit dhe procedurën për thirrjen e seancës çdo 48 orë deri në konstituimin e tij.
Një aktgjykim i vitit të kaluar i Gjykatës Kushtetuese thotë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve. Ky afat përfundoi më 7 gusht 2026.
Sipas Hasanit, konstituimi i Kuvendit të dielën “nuk ka ndjekur asnjë rrugë kushtetuese” të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës, në veçanti me nenin 67 të saj, me nenin 12 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, si dhe me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese që i kanë interpretuar këto dispozita në të kaluarën.
“Nuk do të ishte profesionale që gjykata, tani kur çështja është e qartë, të lejonte funksionimin e Kuvendit të Kosovës, i cili, sipas këtyre parametrave kushtetues, është konstituuar në shkelje të Kushtetutës”, tha Hasani.