Petrit Ajetit i vazhdohet mandati si shef i AKI-së

Petrit Ajeti (në mes) pozon me kryeministrin Albin Kurti dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pasi iu vazhdua mandati si shef i AKI-së, 14 prill.

Petrit Ajeti do të jetë në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) edhe pesë vjet të tjera, pasi iu vazhdua mandati të martën.

Presidenca e Kosovës njoftoi në uebsajtin e vet se ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri Albin Kurti, e nënshkruan të martën vendimin për vazhdimin e mandatit të Ajetit si drejtor i AKI-së për një mandat të ri pesëvjeçar.

“Ky vendim pasqyron vlerësimin institucional për profesionalizmin, përkushtimin dhe punën e deritanishme të z. Ajeti në udhëheqjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, si dhe besimin në vazhdimësinë e lidershipit të tij në forcimin e kapaciteteve të inteligjencës dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ajeti u emërua shef i AKI-së për herë të parë në vitin 2021 dhe është vetëm drejtori i dytë pas Bashkim Smakajt që e përfundon një mandat të plotë në këtë detyrë në historinë e AKI-së.

SHIKONI EDHE:

Petrit Ajeti emërohet drejtor i AKI-së

Ajeti kreu Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërsa në vitin 2001 kreu studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë.

Ai mbaroi studimet e nivelit Master në fushën e Arteve në Përgjegjësinë Sociale të Korporatave në Universitetin Metropolitan të Londrës në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ka të kryera edhe disa programe të zhvillimit profesional në Gjermani dhe SHBA.

Në vitet para ardhjes së Ajetit, AKI-ja kishte ndërruar tre drejtorë.

I vetmi që deri atëherë kishte përfunduar një mandat të plotë ishte drejtori i parë, Bashkim Smakaj, i cili ishte emëruar në këtë post në shkurt të vitit 2009.

Një vit pas riemërimit, më 2015 ai kishte dhënë dorëheqje, duke u zëvendësuar nga Agron Selimaj. Ky i fundit po ashtu kishte dhënë dorëheqje dy vjet më vonë, më 2017.

Në vend të tij, më 2017, u emërua Driton Gashi, të cilit iu kërkua të lironte detyrën vetëm një vit pas marrjes së detyrës, për shkak të skandalit me arrestimin dhe dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

SHIKONI EDHE:

Ish-shefi i AKI-së dënohet me mbi 4 vjet burgim për dëbimin e shtetasve turq nga Kosova

Pas tij, në pozitën e drejtorit të AKI-së ishte emëruar Kreshnik Gashi, të cilit po ashtu iu kërkua largimi nga ky post, në dhjetor të vitit 2020.

Në bazë të ligjit në fuqi, drejtori i AKI-së i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit.

Po sipas këtij ligji, drejtori i AKI-së shërben si këshilltar i presidentit dhe kryeministrit për çështje të inteligjencës që kanë të bëjnë me sigurinë e Kosovës; njofton presidentin dhe kryeministrin për aktivitetet e AKI-së dhe ofron informata për presidentin dhe kryeministrin sa i takon sigurisë.